| 2016-11-29 16:25:20 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Presidentja e kompanisë së veshjeve "Marisfrolg Fashion" Zhu Chongyun, nga inxhiniere u kthye në stiliste, duke krijuar një biznes me të ardhura vjetore qindra milionë dollarë, teksa vetë është bërë tashmë miliardere.
Zhu Chongyun-i ka lindur në qytetin kinez të Hangzhou-t 52 vjet më parë, por duket të paktën 10 vjet më e re.
Ajo rrëfen se kur ishte e vogël ishte e interesuar në shumë gjëra:
"Më pëlqenin shkencat: matematika, fizika dhe kimia. Dhe isha shumë i zonja në gjërat që bëhen me dorë. Çfarë ëndërroja të bëhesha? Thjesht një 'punëtore e dalluar', që do të ishte e njohur në të gjithë vendin."
Po moda? "Nuk kisha fare interes. Mendoja vetëm për mësimet. Por nëna ime, e cila gjithmonë kishte shije për stilin, përpiqej të më vishte mirë."
Por gjërat ndryshuan kur Zhu nisi studimet e larta për inxhinieri mekanike.
"Kur isha në universitet nuk gjeja gjëra që të më pëlqenin për t'i veshur, prandaj, meqë siç thashë, më zinin duart çdo gjë, fillova të blej copa për vetëm disa juanë dhe i bëja funde ose çanta. Shoqet e të afërmit filluan të më pyesnin se ku i gjeja rrobat ose ku e gjeja frymëzimin për to. Kështu që nisa të stiloj veshje për të tjerët. Dhe që atëherë kurrë nuk kanë ndaluar," shprehet ajo.
Në fakt, historia e Zhu Chongyun-it është pak më e gjatë se kaq. Dhe e mbushur me zgjedhje të vështira e udhëkryqe. Por ajo gjithmonë e dinte se në cilën rrugë duhej të ecte. Duke filluar që nga përfundimi i studimeve dhe fillimi i punës si inxhiniere, kur i bindi prindërit e vet, që të dy mësues, të pranonin se ajo nuk do të ndiqte rrugën e tyre të punës në shtet. "I kërkova mamasë të më lërë të shkoj dhe të eksploroj botën. Kohën e lirë në universitet e kaloja duke lexuar gazetat dhe duke pirë çaj. Nuk ishte kjo jeta që doja të bëja. Natyrisht, në Kinë në atë kohë, të hiqje dorë nga mundësia për një punë shteti ishte një gjë e çuditshme, sidomos për një vajzë. "
Dhe kështu Zhu Chongyun-i e ndërpreu karrierën e saponisur si inxhiniere dhe nisi punë në një firmë ushqimore, ku ajo zbuloi talentin e vet në menaxhim. "U ngarkova me blerjet, shitjet dhe imazhin e markës. Në gjashtë muaj, të ardhurat u trefishuan," kujton ajo.
Zhu Chongyun-i gjithashtu zbuloi se kishte talent për zgjidhjen e problemeve që paraqiteshin. Derisa erdhi koha për ndryshimin e madh. Zhu Chongyun-i tregon: "Një shoqe më tha për një kompani veshjesh në Shenzhen, një qytet që në atë kohë ishte një tokë e premtuar për të rinjtë që kërkonin fatin e tyre. Kompania ishte në kërkim të dikujt që kishte përvojë në sektorin e veshjeve dhe një diplomë në dizajn.
'Ti nuk ke asnjërën prej këtyre,' i thashë vetes. 'Nëse e plotëson formularin, je e marrë fund.' E vetmja gjë që mund të bëja, ishte të bisedoja me menaxherin e përgjithshëm dhe t'i tregoja vendosmërinë time dhe idetë që kisha. Dhe kështu bëra dhe u punësova në atë kompani".
Pas disa vitesh pune dhe grumbullimi përvoje, në vitin 1993, kur ishte vetëm 29-vjeçare, Zhu Chongyun-i mendoi se kishte ardhur koha që ajo të niste biznesin e vet. Dhe kështu lindi kompania "Marisfrolg Fashion" e Shenzhen-it.
"Marisfrolg" nisi prodhimin e veshjeve të markës "Zhuchongyun", që mbështeteshin kryesisht në modelet e veshjeve tradionale kineze, duke u dhënë atyre një frymë të re. Një gjë e tillë u pëlqye nga konsumatori, fillimisht kinez, e më pas edhe ai i huaj, duke sjellë rritjen dhe zgjerimin e "Marisfrolg"-ut, që është shndërruar tashmë në një biznes me të ardhura vjetore 400 milionë dollarë dhe që ka 500 dyqane dhe 6 000 të punësuar në mbarë botën.
Siç është shkruar në shtyp, "Marisfrolg"-u u bë një minierë ari për Zhu Chongyun-in, duke i lejuar asaj të zotërojë në vitin 2014 markën e njohur italiane "Krizia". Ajo tregon: "Kur bleva 'Krizia'-n, shumë njerëz më thanë: 'Ti je në një pozicion mirë në Kinë, pse do t'ia fillosh nga e para në Itali?' Por, për mua, sukses do të thotë e drejta për të nisur diçka të re për të pasur më shumë sukses. Filozofia ime është kjo: Ngadalësia është shpejtësi. Dhe anasjellas. Nëse ke krijuar themele të forta, mund të vendosësh shpejt për hapat e ardhshëm që do të hedhësh. E të vraposh."
Pjesë e suksesit të kompanisë "Marisfrolg" është edhe kultura e saj. Zhu Chongyun-i shprehet: "Ka qenë gjithmonë e rëndësishme për mua të krijoj një kulturë të fortë në kompaninë time. Ne ia kushtojmë pjesën më të madhe të jetës sonë punës, kështu që për mua është e rëndësishme që të ketë një mjedis të shëndetshëm dhe, mund të duket utopike, edhe të lumtur. Të bësh gjëra të bukura nuk ka kuptim nëse nuk ndien kënaqësi kur i ndan me të tjerët."
Për këtë arsye Zhu Chongyun-i po ndërton një seli të re të kompanisë në Shenzhen, që do të ketë ndër të tjera edhe spa dhe hotel për punonjësit dhe të afërmit e tyre. Zhu Chongyun-i e bën të qartë se çfarë kupton ku e quan kompaninë si një familje.
"Shpesh unë gatuaj për të gjithë, por nuk duhet ta them këtë me zë të lartë, sepse kur jam në shtëpi, pothuajse asnjëherë nuk shkoj në kuzhinë për të gatuar," shprehet ajo me të qeshur.
Vitin e kaluar Zhu Chongyun-i u përfshi në "Listën e 50 grave më të fuqishme të Azisë" të "Forbes"-it, si edhe ishte ndër 71 sipërmarrësit kinezë që iu shtuan "Listës së miliarderëve" të "Forbes"-it. Pasuria e saj tashmë arrin në 1.2 miliardë dollarë.
Por si e shikon të ardhmen Zhu Chongyun-i?
"Besoj se do të vazhdoj të punoj derisa të bëhem 60 vjeç, e pastaj do të përpiqem ta shijoj jetën ndryshe," thotë 52-vjeçarja. "Sigurisht nuk do të tërhiqem nga kompania, por nuk do të jem më i vetmi person përgjegjës për të. Unë dua që shembulli im t'u japë sidomos të rinjve shpresë dhe t'i bëjë ata të besojnë se kjo është një botë e mundësive. Kush e di, ndoshta do të bëhem mësuese, ashtu si donin prindërit e mi që të bëhesha shumë vjet më parë."
Dhe më tej Zhu Chongyun-i shton: "Çdo fazë e jetës sime është e ndryshme. Kur isha e vogël, isha si djalë dhe doja të bëhesha shkencëtare, kur isha vajzë e re isha një inxhiniere romantike dhe më pas një menaxhere që aspironte të stilonte veshje, ndërsa tani jam një sipërmarrëse plot pasion. Në të ardhmen, meqë i kam lënë pas dore vajzat e mia, ndoshta do ta kompensoj duke qenë gjyshe e mirë. Por gjithashtu dua të udhëtoj më shumë, të bëj miq të rinj. Ende nuk kam pasur koha ta ëndërroj ëndrrën time të ardhshme, por unë e di që e kam një të tillë. "
