Pan Zhengmin-i, "zëri" i smartfonave

2016-05-27 11:08:10 CRI Komenti juaj Printoni

Nëse nuk keni dëgjuar ndonjëherë për kompaninë "AAC Technologies" ose themeluesin e saj Pan Zhengmin, një mënyrë e mirë për të ditur se me çfarë merren është të vini në vesh një smartfon. "AAC Technologies" është një ndër furnizuesit kryesorë me mikroaltoparlantë të shumë prej kompanive më të njohura botërore të prodhimit të celularëve, si Motorola, "Sony Ericsson", NEC, BenQ, "Kyocera", e madje edhe për "Apple".

Biznesmen i suksesshëm është ai që shfrytëzon mundësitë që i paraqiten dhe që parashikon prirjet e kohës. E nuk ka dyshim se një i tillë është edhe Pan Zhengmin-i. Në epokën e lulëzimit të smartfonave, ai hapi biznesin e duhur, duke u bërë miliarder prej një veprimi të tillë të zgjuar.

Pan Zhengmin-i, i njohur edhe si Benjamin Pan, ka lindur në ditën e parë të vitit 1969 në provincën Guangdong të Kinës Jugore. Në vitin 1987 ai përfundoi studimet në shkollën pedagogjike të Wujin-it në provincën Jiangsu të Kinës Lindore. E megjithatë, mësuesia nuk do të ishte profesioni i jetës së tij. Babai i Pan Zhengmin-it kishte një biznes të vogël që merrej me prodhimin e mikroaltoparlantëve për pajisjet elektronike.

I frymëzuar nga kjo, pasi punoi vetëm për disa vjet si mësues matematike, në vitin 1993 Pan Zhengmin-i, bashkë me të shoqen Wu Chunyuan, e njohur tani edhe si Ingrid Wu dhe që deri në atë kohë kishte punuar si infermiere, krijuan kompaninë "Yuanyu" të Shenzhen-it, paraardhësen e "AAC Technologies". Firma fillimisht shumë e vogël, filloi të merrej me biznesin e prodhimit të produkteve të tilla si altoparlantët, marrësit, mikrofonat dhe antenat.

Më pas kompania e krijuar nga Pan Zhengmin-i dhe e shoqja nisi prodhimin e kompjuterave tabletë dhe të celularëve, duke përfshirë edhe për "Apple". Një kthesë e rëndësishme për tashmë "AAC Technologies" do të vinte në vitin 1998, kur siguroi një kontratë me gjigantin japonez "Motorola". Duke filluar që atëherë, për pesë vjet me radhë, "AAC Technologies" do të fokusohej në industrinë e pajisjeve të telefonisë së lëvizshme, duke e rritur me shpejtësi bazën e vet të konsumatorëve.

Pan Zhengmin-i është tani kryezyrtari ekzekutiv dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë "AAC Technologies". Pan përgjigjet për drejtimin strategjik dhe planet e biznesit të grupit. Ai mbikëqyr koordinimin midis studimit e prodhimit, marketingut dhe shitjes, si edhe aspekte të tjera, duke përfshirë financat, burimet njerëzore dhe sigurimin e cilësisë.

Ndërsa "AAC Technologies" prodhon vazhdimisht produkte me të drejta të veta të pronësisë intelektuale, Pan Zhengmin-i është po ashtu i vëmendshëm në rritjen e nivelit teknik të kompanisë së vet nëpërmjet blerjeve, duke forcuar kështu bazën teknologjike të saj.

Teksa gjithnjë e më shumë smartfona e lloje të tyre po hyjnë në treg, konkurrenca po bëhet gjithnjë e më e madhe. Megjithatë, kjo konkurrencë e ashpër ndërmjet prodhuesve të celularëve me sa duket nuk ka ndonjë ndikim të madh te "AAC Technologies".

Drejtues të kësaj kompanie janë shprehur se për një periudhë 4 ndër 10 celularë të shitur kishin mikroaltoparlantë të prodhuar nga "AAC Technologies".

Me prodhimin dhe hedhjen në treg të llojeve të reja të celularëve e të smartfonave dhe me zgjerimin e kërkesës për produkte akustike edhe për pajisje të tjera përveç celularëve, fitimet vjetore të kompanisë së Pan Zhengmin–it kanë ruajtur prirjen e rritjes së qëndrueshme.

"AAC Technologies" u regjistrua në Bursën e Hong-Kongut në vitin 2005 dhe është tashmë një ndër kompanitë publike prodhuese të mikrokomponentëve më të suksesshme.

Përveç "AAC Technologies", Pan Zhengmin-i është themeluesi edhe i një numri kompanish të tjera më të vogla, si i kompanisë elektronike "Meiou" të Shenzhen-it dhe AAC të Changzhou-t.

Pan Zhengmin-i është edhe ideatori dhe nxitësi i zgjerimit të "AAC Technologies" edhe jashtë Kinës, zgjerim i cili mund të thuhet se ka qenë i suksesshëm. Në vitin 1996 ai hapi degën e "AAC Technologies" në ShBA, duke u bërë president dhe kryezyrtar ekzekutiv i saj.

Në tetor të vitit 2012, Pan Zhengmin-i u bë i pari prind i një studenti në Universitetin e Bostonit nga pjesa kontinentale e Kinës që krijoi një fond bursash për studentët kineze në këtë universitet, në përgjigje të nismës "Sfida e shekullit" të iniciuar nga Universiteti i Bostonit.

"Jam i nderuar që jam i pari prind nga pjesa kontinentale e Kinës që e bën një gjë të tillë", u shpreh Pan Zhengmin-i, "dhe shpresoj se më shumë njerëz me kapacitetin tim financiar të jenë të gatshëm për t'u bashkuar me këtë kauzë fisnike për të ndihmuar studentët. Këta të rinj janë e ardhmja jonë. Nëse do t'i ndihmojnë ata, ne kemi ndihmuar veten!"

Fondi i Pan Zhengmin-it do të përdoret për bursa vjetore për studentë të dalluar nga Kina, Azia ose pjesë të tjera të botës. Bursa u ofron mbështetje financiare atyre studentëve, që përndryshe nuk do të ishin në gjendje të ndiqnin studimet në Universitetin e Bostonit.

"Me zhvillimin e shpejtë dhe të vazhdueshëm ekonomik dhe shoqëror të Kinës, unë besoj se gjithnjë e më shumë do të shtohet gatishmëria për të ndihmuar të tjerët në shumë mënyra," theksoi Pan Zhengmin-i.

"Universiteti i Bostonit po zbaton një stil menaxhimi të ndryshëm dhe global, që e ka bërë atë një nga universitetetet më të njohura në botë. Unë e admiroj Universitetin e Bostonit dhe dua t'i ndihmoj studentët kinezë të vijnë në këtë universitet për të marrë një arsim të mirë. Kam bindjen se këta studentë do të krijojnë vlerë më të madhe për shoqërinë dhe të gjithë njerëzimin."

Si Pan Zhengmin-i, ashtu edhe drejtuesit e tjerë të "AAC Technologies" nuk e pëlqejnë shumë bujën dhe thonë se janë më të interesuar për zhvillimin e kompanisë sesa për t'u shfaqur në media. Megjithatë, në një nga intervistat e tij të rralla, Pan Zhengmin-i ka rrëfyer se formula e tij e suksesit është "mos shiko klientët e tu, por teknologjitë e tua".

Një nga vendimet më të rëndësishme të Pan Zhengmin-it ishte ai për ta kaluar "AAC Technologies" nga thjesht një furnizues komponentësh në përqendrimin në krijimin e teknologjive të reja. Përveç përvojës së tij në menaxhim, marketing, prodhim e shitje, Pan Zhengmin-i ka luajtur gjithashtu një rol të madh në hartimin e strategjisë së kërkim-zhvillimit të "AAC Technologies", duke bërë që kjo kompani të ketë tashmë mjaft patentash të sajat.

"AAC Technologies" ka në zotërim më shumë se 200 patenta, duke qenë prodhuesja e mikrokomponentëve të pajisjeve akustike me numrin më të madh të patentave jo vetëm në Kinë, por edhe në botë. Një arritje e tillë ka ardhur si rrjedhojë jo vetëm e investimeve të konsiderueshme në kërkim-zhvillim, por edhe për shkak të partneritetit të kompanisë me firmat e kapitaleve me rrezik, të cilat e kanë ndihmuar "AAC Technologies" të identifikojë kompanitë fillestare të teknologjive të reja.

Një strategji e tillë e ka ndihmuar "AAC Technologies" të vazhdojë të sigurojë kontrata me vlerë të lartë nga të gjithë kompanitë kryesore të prodhimit të smartfonave, duke përfshirë edhe "Apple".

Dhe pasuria e Pan Zhengmin-it dhe vlera e kompanisë së themeluar e drejtuar prej tij "AAC Technologies" është rritur së bashku me kërkesën e konsumatorëve për smartfona. Vlera e tregut e "AAC Technologies" i kalon tani 46 miliardë dollarët hongkongas, 15 herë më shumë se vlera e ofertës publike fillestare të kësaj kompanie.

Ndërsa Pan Zhengmin-i nga ana e tij, është përfshirë tashmë në listën e 10 njerëzve më të pasur në industrinë e informacionit në Kinë, që është pa dyshim sektori me rritjen më të shpejtë në vendin më të populluar të botës e që prodhon numrin më të madh të miliarderëve të rinj. Pasuria e tij dhe e familjes së tij arrijnë tashmë, sipas "Listën së njerëzve më të pasur" në pjesën kontinentale të Kinës, në 4.2 miliardë dollarë amerikanë.

Mund të thuhet se në fillim AAC për Pan Zhengmin-in ishte thjesht një ëndërr, ndërsa tashmë është një thesar i tërë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore