Dr. Marsela Musabelliu:Kina dhe sfidat globale ndaj pandemisë

2020-07-02 12:35:22 CRI Komenti juaj Printoni

CMG: COVID-19 pritet të ndikojë në ekonominë globale. Mendoni se ky ndikim do të jetë i menaxhueshëm, siç ndodhi me epideminë SARS në vitin 2003?

Dr.shk. Marsela Musabelliu: Bota e 2020-ës fatmirësisht nuk është bota e 2003 dhe për këtë mendoj se Kina ka një meritë të madhe. Integrimi i Kinës në rrjetet globale të furnizimit të mallrave qysh prej vitit 2001 kur Kina u bë anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë me të drejta të plota i ka dhënë një shtysë jo vetëm këtij vendi dhe Azisë, por dhe rritjes së mirëqenies në të gjithë botën. Sot Kina është partneri i parë tregtar për 127 vende të globit dhe kjo tregon shumë për shkallën e zhvillimit dhe qasjen tregtare ndërkombëtare të Kinës.

David Shambaugh, një studiues i shquar i Kinës thotë: "Hapja e Kinës kundrejt botës është padyshim zhvillimi më domethënës i marrëdhënieve ndërkombëtare për kohët tona. Që nga hapja e Kinës në 1978, bota ka ndryshuar Kinën dhe tani Kina ka filluar të ndryshojë botën." Zhvillimi i ekonomisë së Kinës, do të thotë zhvillim i ekonomisë globale. Dhe ky zhvillim e kjo sjellje pragmatike dhe proaktive në terma ekonomikë e Kinës duket edhe pas heqjes së izolimit në territorin e tyre. Në fakt deri në fund të prillit, 99% e ndërmarrjeve të mëdha industriale kineze rifilluan prodhimin dhe 88.4% e ndërmarrjve të mesme dhe të vogla rifilluan aktivitetin.

Duke ju rikthyer konferencës virtuale të liderëve të 22 qershorit të dy palët shpresojnë në bashkëpunim të thelluar. Në fakt Presidenti Xi theksoi se dy ekonomitë përkatëse kryesore duhet të luajnë rolin si motorë të dyfishtë të ekonomisë botërore, të nxisin rimëkëmbjen e ekonomisë globale, të mbështesin bashkërisht një rifillim të rregullt të punës dhe prodhimit, të forcojnë koordinimin e politikës makroekonomike dhe të mbajnë zinxhirët industrialë dhe të furnizimit global të qëndrueshëm dhe të qetë.

Për t'ju rikthyer pyetjes suaj, patjetër që ky event ishte i paparashikueshëm. Ekonomistët e quajnë "Mjelma e Zezë", një event i cili përshkruan një ngjarje që vjen si befasi, ka një efekt të madh dhe shpesh racionalizohet në retrospektivë. Në terma ekonomikë ka efekte negativë, por përgjegjshmëria e çdo qeverie në detyrë sot është reagimi i menjëhershëm dhe efikas. Projeksionet e institucioneve ndëkombëtare parashikojnë në Qershor 2020, se tkurrja e ekonomisë globale do të jetë në -5% (FMN) kur prisnim një rritje prej 2.2% në fillim të këtij viti.

Mendimi im është se një reçesion ekonomik global do të jetë i menaxhueshëm vetëm nëse nuk ka elementë agresiviteti shtesë si: "luftë tarifash", rritje e praktikave proteksioniste të tregut, shënjestrim i vendeve të caktuara në prodhimet e tyre, etj.

Pra, një ndalje ose regres i procesit të globalizimit është i papranueshëm nëse duam të dalim nga kjo situatë e bllokazhit ekonomik.

CMG: Ju jeni një njohëse e mirë e Kinës. Keni kryer doktoraturën në Universitetin e Xiamen-it me temë investimet kineze në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe mekanizmin e bashkëpunimit 17 +1. Në optikën tuaj si studjuese, cili është pozicioni i Shqipërisë në këto nisma kineze me përhapje dhe ndikim të gjerë në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Dr.shk. Marsela Musabelliu: Unë mundohem të ndjek dhe të analizoj Kinën e sotme për shkak të studimeve dhe punës sime akademike dhe patjetër për kënaqësi dhe kureshtje personale. Studimi i thelluar i mekanizmit të bashkëpunimit ka qënë një punë shumë intensive 4-vjeçare, por unë kam patur fatin e mirë të kisha si udhëheqës doktorature një nga profesorët më të shquar në Kinë në fushën e ekonomisë, Prof. Wu Chongbo. Nën udhëzimet dhe drejtimin akademik të tij, kam patur mundësinë që në Universitetin e Xiamen-it të hulumtoja në mënyrë rigoroze aspektet e investimeve kineze dhe tregtisë në EQL.

Gjetjet e mia të doktoraturës janë gati 300 faqe, por po përmbledh për ju disa pika kyçe.

Mekanizmi i bashkëpunimit "17+1" është një qasje multifunksionale me të cilën RPK ka shfaqur interesin për bashkëpunim në një territor që shkon nga vendet Balltike deri në Ballkan. E themeluar në 2012, kjo platformë është integruar më tej në çadrën e nismës globale të RPK "Një Brez, Një Rrugë".

Gjetjet me anë të shifrave në doktoraturën time tregojnë një angazhim të ulët të Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera të platformës. Po të shohim shifrat zyrtare në Shqipëri janë 149 kompani me pronësi totale ose mbi 50% kineze, dhe stoku në vlerë i investimeve direkte kineze për vitin e kaluar ishte afro 8 milion Euro (shumë pak për ekonominë e dytë të botës). Vetëm këto shifra tregojnë një mungesë të investimeve direkte kineze në Shqipëri. Ka në fakt disa investime të tjera siç janë Aeroporti i Rinasit TIA i cili menaxhohet nga China Everbright Limited, dhe ish Bankers Petroleum, që tashmë është nën menaxhim të Geojade Petroleum Corporation, por këto investime në terma ekonomkë hyjnë te shkrirje/ blerje ose Mergers and Acqusitions.

Nëse do të bëjmë një krahasim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor përsa i përket investimeve kineze ja disa shifra: Në Malin e Zi, autostrada e parë Bar-Boljare, do të bëhet me investim kinez me vlere 800 milion dollarë, si dhe një investim kinez prej 100 milion dollarësh bëhet për flotën detare.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut vlera e investimeve kineze në asfalt shkon 670 milion dollarë, si dhe 28 milion dollare investim në hekurudhë dhe 87 milion në hidroçentrale.

Në Bosnje-Hercegovinë, termocentrali Tusla me mbështetje të fondeve kineze ka investim prej 732 milion dollarë dhe termocentrali Stanari kap shifrën 500 milion dollarë.

Serbia është tërheqësja më e madhe e investimeve kineze në Ballkan që nga hekurudha e Beograd-Budapest, që mendohet se segmenti serb në përfundim do të kapë vlerën e mbi 1 miliard Euro.

Mendoj se "17+1" dhe "Një brez, një rrugë" i kanë dhënë pa dyshim impulse të reja marrëdhënies dypalëshe, mjafton të kujtojmë disa nga arritjet në kuadër të kësaj platforme si heqja e vizave për shtetasit kinezë, krijimi i sekretariatit të rinisë dhe mbledhja në Tiranë e kryebashkiakëve të platformës kanë dhënë fryte të mira. Qoftë edhe kanalet e shtuara të bashkëpunimit nëpërmjet platformës janë një rast i mirë njohjeje dhe komunikimi midis politikëbërësve. Por, unë mendoj se në këtë marrëdhënie ka shumë potencial të pashfrytëzuar ende.

CMG: Aktualisht jeni Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve te Globalizimit. Do të ishte me interes të mësonim për veprimtarinë dhe bashkëpunimet e institutit që drejtoni.

Dr.shk. Marsela Musabelliu: Në fakt ideja e institutit u formësua nga unë dhe dy akademikë të shquar me të cilët kam patur kënaqësinë të punoja para disa vitesh, Prof. As. Pandeli Taci dhe Prof. As. Stavri Sinjari. Të dy profesorët kanë një karrierë të gjatë dhe shumë dinjitoze akademike, respektivisht në studime të çështjeve të sigurisë dhe shkencave sociale, ndërsa unë shtoj elementin ekonomiko- politik të këtij instituti.

Ne vendosëm të bashkojmë ekspertizat tona përkatëse për të analizuar impaktet e dukshme dhe efektet anësore të globalizimit në vendin tonë duke u përpjekur të hedhin dritë mbi çështje të interesit publik dhe institucional si: integrimi ekonomik kombëtar me rrjetet globale, sfidat e Shqipërisë për të arritur standardet kontinentale, politikëbërja, mirëqeverisja, etj..

Instituti ka për qëllim promovimin e perspektivave ndërdisiplinore dhe angazhimin aktiv në fushat e globalizimit si dhe promovon kërkime shkencore cilësore, publikime analitike, angazhimin intelektual dhe dialog të përqëndruar në ngjarje me impakt dhe interes publik, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ne jemi ende në fazë gati embrionale por kemi patur sukses të bashkëpunojmë me Akademinë e Shkencave Sociale të Kinës (CASS), China-CEE Institute ne Budapest, Akademinë e Shkencave të Rumanisë, Insititin AITE të Maqedonisë së Veriut, etj. Ju rikujtoj që jemi vetëm 6 muaj hapur e kemi në plan shumë bashkëpunime te tjera.

Intervistoi Eda Merepeza


1 2
Mrekulli
Lajmet Kryesore