Shenzhen, ndihmë teknologjike për zbutjen e varfërisë

2020-06-08 13:07:51 CRI Komenti juaj Printoni

"Jinfenghao" është një kompani çaji në kontenë Zijin, një zonë e prekur rëndë nga varfëria në lindje të provincës Guangdong të Kinës Juglindore. Pasi shfrytëzoi vjet platformën elektronike për shitje dhe gjurmimin e informacioneve të prodhimit, sasia e shitjes nga kjo kompani është katërfishuar, ndërsa çmimi i çajit është rritur mbi 50%.

Një ndryshim i tillë u soll nga "Powerleader"-i, një ndërmarrje e teknologjisë nga qyteti Shenzhen. Me bashkërendimin e bashkisë së Shenzhen-it, "Powerleader" krijoi këtë platformë në internet, ku janë regjistruar afro 100 firma dhe pronarë të fermave në krahinat e varfra, nga e cila përfitojnë mbi 20 mijë banorë vendorë me vështirësi ekonomike.

Ky është një shembull i veprimeve të Shenzhen-it në përgjigje të thirrjes së qeverisë qendrore për të ndihmuar në luftën kundër varfërisë. Si qendër e risive teknologjike, ky qytet po shfrytëzon epërsitë e veta në përpjekjet kombëtare për zhdukjen e gjithanshme të varfërisë.

Teknikat ndryshojnë metodat tradicionale blegtorale dhe bujqësore

Në kontenë Tashkurgan të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit, jakët janë një kafshë e rëndësishme e prodhimit dhe burim i rëndësishëm i proteinave. Mirëpo, pas kultivimit shumëvjeçar, racat vendore janë dobësuar dhe plakur, gjë që vështirëson më tej jetën e banorëve. Tani, nëpërmjet një projekti nga Shenzhen-i të përmirësimit të fekondimit, janë zgjidhur problemet e mëdha që pengojnë zhvillimin e industrisë vendore në këtë drejtim. Studiuesit sollën racat që përshtaten më mirë me kushtet natyrore në rrafshnaltë, zhvilluan studime dhe bënë eksperimentime për shumëzimin artificial e përzgjedhjen gjenetike, duke trajnuar mbi 100 teknikë vendorë, e si rezultat jakët eksperimentalë janë shtuar nga 70 në 100. Përveç kësaj, me linja të reja të therjes dhe të përpunimit të produkteve, mishrat cilësore të jakëve që prodhohen në Xinjiang mirëpriten në qytetin Shenzhen, mbi 4000 kilometra larg.

Ndërsa, në qytetin Bijie të provincës Guizhou, grupi "Evergrande" do të investojë 2.2 miliardë juanë për ndërtimin e 60 mijë serrave dhe 26000 hektarëve baza të mbjelljes së perimeve, të qendrës së rritjes së fidanëve me sipërfaqe 300 mijë metra katrore dhe të 61 pikave për rezervimin dhe përpunimin fillestar të zarzavateve. Në parqet e krijuara më parë për përdorimin e teknologjisë bujqësore moderne, "Evergrande" përdor teknologjinë e ujitjes me spërkatje, duke zgjidhur problemin e furnizimit të ujit. Ndërkohë, krijimi i rrjetit elektronik për kontrollin e tërë procesit të rritjes së perimeve ka nxitur bujqësinë vendore të zhvillohet drejt modernizimit dhe standardizimit.

Përveç teknologjisë, ndërmarrjet nga Shenzhen-i kanë dhënë ndihmesë edhe në kultivimin e bimëve të reja ekonomike. Në fermën "Chayu" të qytetit Linzhi të Rajonit Autonom të Xizang-ut (Tibet), Korporata e Teknologjisë Bujqësore e Shenzhen-it ndihmon banorët vendorë të kultivojnë bimë mjekësore, fruta etj. Ajo ofron kapital fillestar, mbështetje teknologjike e trajnim personeli dhe përgjigjet për shitjen e produkteve, ndërsa banorët e varfër janë punëmarrësit.

Arsimimi ndërpret "trashëgimin" e varfërisë

Vetëm teknologjia nuk mund të zgjidhë nga thelbi problemet e krahinave të varfra, por arsimimi mundet. Kështu që autoritetet arsimore të Shenzhen-it kanë shpejtuar bashkëpunimin në fushën arsimore, të përhapjes së njohurive tekniko-shkencore etj.

Për të ndihmuar më shumë fëmijë të përvetësojnë një mjeshtëri, disa shkolla profesionale në Shenzhen kanë zhvilluar shumë raunde trajnimi në krahinat e prekura nga varfëria. Për shembull, Shkolla Profesionale Nr. 2 e Shenzhen-it ka dërguar mbi 20 mësues, duke regjistruar 1200 fëmijë nga Guangdong-u, Guizhou, Hubei, Guangxi etj., për të marrë trajnim në Shenzhen. Ndër 254 të diplomuarit, 138 kanë gjetur punë në Shenzhen dhe 15 të tjerë kanë krijuar bizneset e veta.

Ndërsa kompania e teknologjisë së re "Silverbasis" ka vendosur bashkëpunim me Institutin e Teknologjisë të Shenzhen-it. Në këtë mënyrë, shkolla pranon dhe trajnon nxënës nga familjet e varfra për vende pune që kërkohen më shumë nga "Silverbasis". Sipas drejtorit të institutit Li Tao, për nxënësit pranimi nga shkolla do të thotë gjetje pune, sepse shkollimi trevjeçar lidhet ngushtë me vendet e punës që do të marrin pas diplomimit.

Gjithashtu, si një ndër qendrat botërore të risive teknologjike, ndërmarrjet në Shenzhen ndjekin me vëmendje prirjet profesionale, duke përdorur këto "armë të reja" në betejën kundër varfërisë në krahinat partnere të ndihmës. Vetëm në qytetin Heyuan të provincës Guangdong, me teknologjinë e të dhënave të mëdha, informatikës cloud etj., ato kanë krijuar një platformë elektronike për menaxhimin dhe shpërndarjen e burimeve në punën e zbutjes së varfërisë për 214 fshatra. Këto ndërmarrje ftojnë platforma të tjera gjigante, si "Alibaba", "Tencent" etj., për të zgjidhur problemin e shitjes së produkteve nga fermerët. Për shembull, në zonat rurale të Bijie-së në provincën Guizhou, janë krijuar 1953 pika të shërbimeve të shitjeve në internet, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në luftën kundër varfërisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore