Dy sesione, çfarë kanë bërë delegatët gjatë shtyrjes dymujore?

2020-05-25 21:41:37 CRI Komenti juaj Printoni

Më 21 dhe 22 maj, u hapën përkatësisht sesioni vjetor i Asamblesë Kombëtare Popullore, organi më i lartë ligjvënës në Kinë, dhe ai i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, organi më i lartë politik këshillimor. Pjesëmarrësit në sesionet do të shqyrtojnë si gjithmonë ecurinë e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe përdorimin e buxheteve të qeverisë qendrore e të pushteteve vendore gjatë vitit të kaluar, dhe do të shqyrtojnë planin e buxhetet për këtë vit.

Në 22 vjetët e kaluar, këto dy sesione janë organizuar në fillim të marsit. Kështu që kjo është hera e parë që ato shtyhen që nga viti 1998, kur u caktua zyrtarisht koha e mbajtjes së tyre. Në kushtet e epidemisë, kohëzgjatja e sesioneve është shkurtuar deri në një javë, nga afro 10 ditë që kanë qenë, dhe delegatët pjesëmarrës do të japin intervista për mediat nëpërmjet internetit, me shkrim dhe video. Por, a do të thonë shtyrja dhe shkurtimi i kohës së sesioneve lehtësim i detyrave të delegatëve? Përgjigjja është "jo", madje përkundrazi, shumë prej tyre kanë qenë më të ngarkuar.

Ndryshe nga deputetët e vendeve të tjera, që marrin rrogë dhe fokusohen vetëm te detyra në parlament, delegatët e dy organeve politike më të larta të Kinës, përveç atyre që punojnë me kohë të plotë në departamentet përkatëse, janë nga profesione të ndryshme dhe i kryejnë detyrat politike me kohë të pjesshme.

Gjatë mandatit pesëvjeçar, përfaqësuesit ndjekin ecurinë e problemeve në qarqet e tyre dhe përgatisin projekte këshilluese që paraqiten në sesionet vjetore. Ndërsa departamentet e komiteteve të përhershme të dy organeve, pasi mbledhin projektet, i studiojnë dhe marrin mendime më të gjera, për t'u dhënë delegatëve përgjigje, qoftë për sugjerimet, kërkesat a kritikat, ashtu dhe mbikëqyrjen ndaj qeverisë. Ato që kanë rëndësi legjislative kombëtare, përfshihen në rendin e ditës të komitetit të përhershëm dhe të sesioneve vjetore. Kështu që, gjatë shtyrjes së sesioneve, kur tërë shoqëria kineze ishte në betejën e gjithanshme antiepidemike, shumë delegatë ishin më të zënë me punë profesionale dhe detyra politike. Në vijim do të flasim për disa prej tyre.

Zhu Mingyue: Nxitje e mëtejshme e punësimit

Zhu Mingyue është përfaqësues i Asamblesë Kombëtare Popullore dhe president i një platforme elektronike, "zbj.com", një agjenci punësimi ndërmjetësuese midis personave të vetëpunësuar dhe kompanive që kanë nevojë për dizenjues novatorë. Në dy muajt e kaluar, ai, nëpërmjet pesë masave të reja, ka ndihmuar mbi 70 mijë klientë, duke parandaluar keqësimin e problemit të papunësisë.

"Për ndërmarrjet që kanë burime të lira njerëzore në dizenjim, marketing dhe teknologjinë e informacionit për shkak të epidemisë, ne ofrojmë raste pune të përkohshme të stafit të tyre të lirë në kompanitë e tjera që kanë nevojë për punonjës të tillë", shpjegon Zhu. Sipas tij, vetëm gjysmë muaji pas fillimit të këtij plani, disa dizenjues, inxhinierë softuerësh dhe punonjës së shërbimeve pas shitjes kanë rigjetur punë të përkohshme.

Pak kohë më parë, ai, së bashku me ndërmarjet kliente të platformës, nisi programin e trajnimit në internet të të diplomuarve. Kompanitë pjesëmarrëse kanë ofruar mbi 10 mijë vende të praktikës me pagë për studentët që diplomohen sivjet.

Në projektin që do të paraqesë sivjet, Zhu Mingyue liston disa masa konkrete që mund të merren nga qeveria për të nxitur punësimin në qytetet e vogla dhe të mesme të vendit nëpërmjet ndihmës ndaj bizneseve të vogla dhe mikrobizneseve.

Zhang Wenxi: Më shumë masa të favorshme për fshatarët

Një javë para hapjes së sesionit vjetor, përfaqësuesi i Asamblesë Kombëtare Popullore, sekretari i Komitetit të Partisë Komuniste për fshatin Chenyu të qytetit Wuhan Zhang Wenxi ishte i zënë duke drejtuar fshatarët të kultivonin një lloj të ri pjeshke.

Ky është projekti më i madh i fshatit për zhdukjen e varfërisë. Ndër 26 familjet që ende jetojnë nën nivelin e varfërisë, 16 kanë tani anëtarë që punojnë në bazën e kultivimit. Në vitet e kaluara, pjeshkët me cilësi të mirë shiteshin shpejt. Por sivjet, për shkak të epidemisë, vetëm tre klientë kanë bërë porosi. Gjithashtu, edhe prodhimi i 34 hektarëve tokë për prodhimin e vajit të çajit do të hasë vështirësi shitjeje.

Sipas Zhang Wenxi-së, epidemia ka sjellë rrezikun e rikthimit të njerëzve në gjendjen e vështirë ekonomike. Në kulmin e betejës, kur tërë provinca Hubei u izolua dhe transporti ndërqytetës u ndërpre, perimet dhe frutat e prodhuara nga këto familje mezi gjetën blerës. Për të garantuar jetën e tyre normale dhe marrjen e masave të duhura të parandalimit të përhapjes së virusit, Zhang Wenxi bisedoi me drejtorët administrativë të fshatit dhe, mbi bazën e këshillave të tij, këta të fundit bënë një financim të veçantë nga fondet kolektive për të blerë materiale dezinfektimi dhe perimet e prodhuara nga këto familje, duke siguruar jetesën bazë të banorëve në fazën kritike të betejës kundër virusit..

Para vajtjes në Pekin, Zhang bëri edhe shumë vizita nëpër familjet e varfra.

"Të ardhurat nga shitja e produkteve bujqësore kanë rëndësi vendimtare për shtimin e besimit të fshatarëve të varfër. Duhet t'i kushtojmë rëndësi zhvillimit të punës në këtë drejtim me më shumë masa mbështetëse. Vetëm në këtë mënyrë mund të konsolidohen rezultatet tona në zhdukjen e varfërisë", shkruan Zhang në projektin e tij.

Liu Wei: Më shumë ulje të kostove të ndërmarrjeve

Kryeekzekutivi i ndërmarrjes së teknologjisë së lartë PCI, Liu Wei, është anëtar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike. Sipas tij, pas rënies së epidemisë, zbatimi i kontratave, mbledhja e fondeve (nga blerësit) dhe marketingu i kompanisë së tij kanë pësuar ndikime të ndjeshme. Nën presionin e madh, ai mori një sërë masash urgjente në bazë të përvojave të mëparshme në fushën e inteligjencës artificiale. "Me produkte teknologjike, si një aplikacion për matjen e shpejtë të temperaturës nëpërmjet njohjes së fytyrës etj., kemi kompensuar disa humbje ekonomike. Po politikat qeveritare kanë luajtur një rol të rëndësishëm për daljen tonë nga vështirësia", thotë Liu. Më tej ai shton:

"Na janë kthyer mbi 20 milionë taksa të vlerës së shtuar. Nga aplikimi deri në mbërritjen e fondeve në llogarinë tonë bankare, u deshën vetëm pesë ditë. Tani qeveria po shpejton zbatimin e projekteve të infrastrukturës së re, shfrytëzimin e teknologjisë 5G, të inteligjencës artificiale, të transportit hekurudhor, gjë që krijon mundësi të reja për ndërmarrjet private të teknologjisë. Kemi besim për biznesin në gjysmën e dytë të vitit."

Në projektin e vet, Liu propozon që qeveria të ulë më tej koston e ndërmarrjeve nëpërmjet pakësimit të më shumë taksave dhe tarifave, mbështetjes së inovacionit të kompanive private, sidomos atyre të vogla e të mesme etj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore