2020-04-21 16:00:10 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
20-vjeçari Wang Haoran (me emrin shqiptar Ditmir) është një student i gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Nga fundi i tetorit të vitit të kaluar, ai filloi të studionte në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Mirëpo, për shkak të epidemisë së COVID-19, ditët e fundit ai u kthye në Kinë bashkë me disa shokë shkolle dhe gjendet në periudhën karantinore14-ditore. Ditët e fundit, ai tregoi për Radio "Ejani" në formë ditari për këtë përvojë të veçantë.
12 prill, Pekin
Në orën 19 të datës 7 prill, pas përfundimit të procedurës së daljes nga spitali, më dërguan prapë në hotelin e karantinimit. Para se të futesha në autoambulancë, bleva biletë aeroplani drejt Pekinit të 8 prillit, kur do të përfundonte karantinimi im. Duke qëndruar në hapësirën e kufizuar të autoambulancës, u zhyta në mendime.
Shumë herë në jetën time të mëparshme, ëndërroja të largohesha nga shtëpia ime, nga qyteti im, nga vendi im, të futesha në botën e re më të madhe për të pasuruar përvojën dhe për të kërkuar dituritë që do të zgjeronin botëkuptimin tim. Kisha gjetur gjëra të bukura që do të mbeteshin në mendjen time si thesar, dhe isha përballuar me sfida të paparashikueshme dhe të pashmangshme. Këto e bënë studimin tim jashtë vendit të vlefshëm. Por, tani sa shumë që dëshiroja të kthehesha në shtëpinë time, për të takuar prindërit e mi të dashur, për të bërë shëtitje me ta, madje për të dëgjuar qortimet e tyre! Nuk kishte lumturi më të shtrenjtë sesa kthimi im i sigurt në atë vend të vogël, por vatër e botës sime. Po ndihesha sikur një ëndërr do të bëhej realitet.
Kur arrita në hotel, gjëja e parë që bëra ishte përgatitja e valixheve. Kisha shpërndarë sendet e mia andej-këtej nëpër dhomë, librat, rrobat, ushqimet etj. Ishte koha t'i rregulloja dhe të përgatitesha për kthimin të nesërmen. Atë natë kontaktova punonjës të hotelit dhe pagova shpenzimet e banimit dhe ushqimit. Isha shumë mirënjohës, sepse qëndrimi në këtë hotel me pesë yje kushtonte vetëm 200 juanë (më pak se 30 $) nata. Një çmim i tillë ishte e pamundshëm në kohë të zakonshme.
Në datën 8 prill u zgjova në orën 6:30 dhe përfundova procedurën e daljes nga karantina në orën 8:00. Megjithëse karantina mbaroi, prapë duhej të vishja maskë. Pastaj mora një taksi dhe u nisa drejt e tek Aeroporti Ndërkombëtar "Hongqiao" i Shangait. Në taksi dhe aeroport ndiqja mësimet në internet me profesorët e universitetit. Pasi mbërrita në aeroport, vura re se çdo njeri mbante maskë dhe ruante distancimin social. Ata zbatonin rregullat dhe nuk tregonin padurim në asnjë mënyrë.
Avioni u nis në orën 13:30 dhe arrita në Pekin në orën 15:30. Atje ishin ata, prindërit e mi të dashur, me rrobat e tyre të vjetra, duke më pritur. U përqafuam fort. Nuk kishte nevojë të shqetësoheshim, ngase analizat e mia dolën negative dy herë. Babai mori valixhen time të rëndë duke ecur majtas pranë meje, kurse nëna më mbante dorën e djathtë, njësoj si natën e datës 29 tetor të vitit të kaluar, kur u largova nga Kina për të studiuar në Shqipëri. Por pamja e tyre sikur kishte ndryshuar. Ndoshta ata ishin plakur më shumë nga malli për mua. Nëna më tregoi se nuk kishte fjetur mirë asnjë natë pas lajmit të përhapjes së virusit në Shqipëri. Më në fund ajo mund të shijonte një ëndërr të plotë e të ëmbël, e çliruar nga të gjitha shqetësimet që kishte pasur më parë. Babai nuk foli shumë, por ai ishte zgjuar herët atë ditë, kishte blerë fruta deti e mish viçi dhe kishte harxhuar tërë paraditen për të përgatitur një drekë të bollshme për mua.
Kur arritëm te porta e lagjes sonë, mora vesh që tani duhej të kishe kartë hyrjeje për t'u futur në lagje dhe kontrolli i temperaturës duhej bërë çdo herë kur dilnim dhe hynim. Kisha përgatitur të gjitha dokumentet e kërkuara, vërtetimin e karantinimit, rezultatet e kontrollit në spital, biletat e aeroplanit, kopjet e kartës së identitetit etj. Prandaj më dhanë një kartë blu, me të cilën mund të kaloja pa pengesë.
Atë ditë, pas një periudhe prej gjysmë viti, shijova përsëri gjellët e gatuara nga babai. Ai kishte gatuar karkaleca deti të zier, mish viçi me salcë kafe dhe oktapod të skuqur djegës. Megjithëse nuk ishte një kuzhinier profesional, nga pasioni, ai gjithmonë përpiqej të mësonte në internet gatimin e gjellëve të shijshme, "për të trajtuar mirë" stomakun tim. Natën dolëm për të bërë shëtitje në park, ku pashë shumë lule të çelura, të cilat përfaqësonin gjallërinë e jetës së re që më priste. Qysh nga ai çast kuptova që jeta e zakonshme po vinte.