2020-03-30 13:15:34 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në tetorin e vitit 2017, z. Björn Nashan u drejtor i qendrës së tranplantimit të organeve të Spitalit të Provincës Anhui. Që nga ajo kohë, ai ka jetuar në qytetin Hefei, kryeqendër e provincës Anhui, vetëm 500 kilometra larg epiqendrës së pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi COVID-19, Wuhan. Kështu që ai është një dëshmitar "i afërt" i procesit të përballjes së Kinës me epideminë. Në një intervistë të dhënë për Grupin Mediatik të Kinës, ai u shpreh se çdo masë e marrë nga qeveria kineze që nga shpërthimi i virusit është efektive dhe se bota perëndimore duhet ta dëgjojë më shumë zërin e Kinës.
Profesori Nashan, që ka qenë kryetar i bordit të Shoqatës Gjermane të Transplantimit, kryetar i Fondacionit të Tranplantimit të Organeve (DSO) dhe anëtar i Federatës Europiane të Shoqatave Biokimike (FEBS), është eksperti i njohur botëror për operacionet në mëlçi, fshikëzën e tëmthit e pankreas dhe të transplantimit të organeve. Duke hedhur një vështrim në muajt e fundit, z. Nashan u shpreh se që nga mbyllja e Wuhanit në janar deri në nisjen e masave të rrepta karantinore në fillim të shkurtit, qeveria kineze ka ndërmarrë veprime efektive.
"Për të vlerësuar nëse një masë është e drejtë apo e gabuar, duhet të nisemi nga njohuritë tona në atë kohë për epideminë. Vetëm në këtë mënyrë, mund t'i shikojmë me një vështrim objektiv masat e qeverisë kineze. Tani, po t'i rishikojmë ato që bëri qeveria kineze, mund të dimë se këto masa janë të drejta dhe efektive, jo vetëm në Wuhan, por edhe provincën Anhui. Në këtë provincë që kufizohet me Hubei-n, ndër 64 milionë banorët, janë prekur qindra persona, dhe prej tyre gjashtë kanë vdekur, që të gjithë mbi 60 vjeç me sëmundje kronike. Në fakt, nga ana e statistikave mjekësore, kjo përqindje e vdekshmërisë është sa ajo e gripit të zakonshëm. Kështu që jam i mendimit se masat e marra nga Kina në çdo pikë kohore janë të drejta", shpjegoi z. Nashan.
Në fillim të marsit, ai u kthye në Gjermani me shërbim. Por, për shkak të acarimit të epidemisë, u detyrua të mbetej në shtëpinë e tij në Hamburg.
"Meqë po shtohet rrezikshmëria e infektimit nga jashtë, spitali ku punoj unë ka frikë se mund të infektohem gjatë kthimit në Kinë në mjetet e transportit. Përveç kësaj, duhet të kaloj 14 ditë karantinë pasi të kthehem në Anhui, pa bërë asgjë i izoluar në banesë. Kështu që më këshilluan të qëndroj për momentin në shtëpinë time në Gjermani. Shëndeti dhe siguria janë në vendin e parë. Mendoj se këto masa janë shumë të domosdoshme, sepse tani numri i rasteve të reja të infektimit është ulur deri në zero në Kinë. Kështu që i vetmi problem është të parandalohet infektimi masiv i shkaktuar nga pacientët e ardhur nga jashtë, gjë që do të zhbënte të gjitha arritjet e deritanishme të siguruara me shumë sakrifica ", tha eksperti.
Pasi kaloi më shumë se dy vjet në Kinë, profesori Nashan ka thelluar njohjet e tij për Kinën dhe mund të flasë për këtë vend. Para disa javësh, në një intervistë të dhënë një medieje gjermane, ai vuri në dukje se bota perëndimore duhet ta dëgjojë më shumë zërin e Kinës. Këtë qëndrim, ai e ritheksoi në intervistën për CMG-në.
"Shoqëria perëndimore duhet ta dëgjojë më shumë Kinën. Që nga fillimi, kur qeveria kineze deklaroi mbylljen e qytetit Wuhan, disa media perëndimore, duke përfshirë edhe ato gjermane, nuk bënë analiza për faktet dhe shifrat e publikuara nga OBSh-ja, as u përpoqën të mësonin konkretisht çfarë po ndodhte në Kinë. Pa ditur arsyen pse qeveria kineze merrte masa të tilla, ato thanë shumë herë se 'kjo është e pamundur të ndodhë në Gjermani', 'kjo nuk bëhet në asnjë vend demokratik dhe të lirë' etj. Politikanë dhe komentatorë të ndryshëm i përsërisnin pandërprerë këto pikëpamje, duke mos u preokupuar për të mësuar për situatën reale. Kështu që gjithmonë u sugjeroj me këmbëngulje atyre të bëjnë më shumë analiza shkencore në bazë të fakteve dhe t'u hedhin një sy të dhënave të OBSh-së para se vlerësojnë masat e qeverisë kineze. Tani, mund të shohim se qeveria federale gjermane ka deklaruar masa më të rrepta kontrolli, që filluan të zbatoheshin para dy muajsh në Kinë. Duhet të kuptojmë se këto janë masa vendimtare për të frenuar epideminë", tha profesori Nashan.