Pekini, zhvillim i nxitur nga risitë tekniko-shkencore

2019-04-08 11:42:02 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit ekonomia kineze po përjeton një transformim, duke kaluar nga objektivi i shpejtësisë së lartë të rritjes te zhvillimi cilësor. Gjatë këtij procesi, në qendër janë produktet me teknologji të re e vlerë të lartë dhe zhvillimi industrial që mbron mjedisin. Ndërkohë, për Pekinin, risitë teknologjike po bëhen një bazë e rëndësishme për garantimin e zhvillimit cilësor.

"Megvii" është një kompani e teknologjisë së lartë që u krijua në vitin 2011 në Pekin. Vitin e kaluar, kjo kompani e re u radhit ndër dhjetë ndërmarrjet më konkurruese në fushën e inteligjencës artificiale pamore. "Megvii" dallohet për një sërë teknologjish të njohjes së fytyrës, të trupit njerëzor, të gjesteve, të certifikatave dhe të pikturave. Zv.presidenti i kompanisë, Xie Yi'nan, mori një dyqan si shembull për vlerat e produkteve të "Megvii"-t:

"Një dyqan 300 metra katrorë mund të digjitalizohet vetëm me t'u instaluar një aparat yni. Me anën e tij, sistemi kompjuterik do të shënojë shitjen e mallrave në çdo raft, duke analizuar për të gjetur ato që shiten më shumë, kohën mesatare të qëndrimit të blerësve dhe kontributin e çdo malli për fitimet e përgjithshme. Kjo është edhe arsyeja e funksionimit të mirë të shumë dyqaneve në internet. Tani ky sistem mund të ndryshojë edhe mënyrën e menaxhimit të shitësve me pakicë në dyqanet reale."

Për "Megvii"-n, inteligjenca artificiale nuk synon zëvendësimin e njeriut, por përmirësimin e produktitetit, sepse ajo më në fund do të jetë si teknologjitë e tjera që shërbejnë për shtimin e mirëqenies së njerëzve nëpërmjet ngritjes së rendimentit dhe përfitimeve të përditshme.

"Kompania jonë mund t'i shndërrojë të gjitha gjërat në çdo sektor industrial në të dhëna të vlefshme, që kanë të bëjnë me sferën pamore. Këto informacione mund të 'kthehen' në industri nga që vjen për të ulur koston e prodhimeve të ardhshme. Prandaj, risia jonë është një proces për optimizimin e prodhimit të çdo sektori", shtoi z. Xie.

Në zonën Zhongguancun të Pekinit ka shumë firma si "Megviil".

Në vitin 2018, numri i ndërmarrjeve të teknologjisë së lartë e të re në këtë zonë i kaloi 22 mijët, duke realizuar mbi 5.8 trilionë juanë të ardhura, 11% më shumë në krahasim me vitin 2017. Ndërkohë, numri i aplikimeve për patenta arriti në 86 mijë, me një rritje 17 % krahasuar me 2017-n. Deri tani, në zonën Zhongguancun janë përqendruar mbi 50 % e institucioneve bazë të inteligjencës artificiale dhe mbi 10 laboratorë në nivel kombëtar, që u shërbejnë mbi 400 kompanive në fushën e inteligjencës artificiale nga aspektet e studimeve teorike bazë, teknikave të llogaritjes, mikroçipave, softuerëve dhe përpilimit të projekteve të zgjidhjes etj.

Vjet, numri i ndërmarrjeve të teknologjisë së re dhe të lartë arriti në 25 mijë, duke u rritur 25 %. Çdo ditë u krijuan 199 kompani të risive teknologjike, ndërsa numri i aplikimeve për patenta përkatëse u rrit 13.6%.

Bashkia e Pekinit e konsideron zhvillimin e risive si një forcë të rëndësishme të nxitjes ekonomike. Për të shpejtuar procesin e shfrytëzimit të rezultateve studimore, autoritetet vendore kanë krijuar baza të kërkimeve industriale, qendra inkubatore për mbështetjen e firmave, duke ofruar kushte me politika e infrastrukturore, për të luajtur si duhet rolin si shërbyes ndaj zhvillimit ekonomik të udhëhequr nga forca e tregut.

Për të ngritur cilësinë e zhvillimit, zv.kryebashkiaku Li Keqing u shpreh se çdo distrikt do të qartësojë epërsitë e veta: "Pushteti vendor do të nxisë zotërimin e epërsive të ndryshme me anën e politikave financiare, të përdorimit të tokës dhe të talenteve, për të krijuar forcë të veçantë konkurruese. Në të ardhmen afatshkurtër, pritet të realizohen projektet e mëdha, si makinat elektrike të 'Mercedes-Benzit', pajisjet e transmetimit me qartësi ultra të lartë, qarqet elektronike të integruara etj."

Mrekulli
Lajmet Kryesore