Ruijin, masa praktike për zbutjen e varfërisë

2018-10-22 16:01:15 CRI Komenti juaj Printoni

Për shkak të kushteve të vështira gjeografike dhe mungesës së infrastrukturës së transportit, qyteti Ruijin, që ndodhet në juglindje të provincës Jiangxi të Kinës, është një ndër zonat më të prapambetura të provincës. Në vitin 2014, në këtë qytet ende kishte mbi 104 mijë banorë, ose 14 % e popullsisë së përgjithshme, që jetonin nën nivelin e varfërisë.

Ndihma për këta banorë, që ata të dilnin sa më parë nga vështirësitë ekonomike për të garantuar realizimin e objektivit të qeverisë qendrore, zhdukjen plotësisht të varfërisë në Kinë deri në vitin 2020, është bërë detyra me përparësinë më të madhe e autoriteteve të qytetit Ruijin në vitet e fundit. Ndër këto masa, zhvillimi i sektorëve të ndryshëm ekonomikë është rruga më e rëndësishme.

Deng Daqing-u është i njohur ndër banorët e fshatit Longhu. Ndryshe nga fshatarët e tjerë që zhvendosen në qytete për të gjetur punë, ai është i bindur se te toka mund të gjendet e fshehta e pasurimit. Pas provash të shumta, Deng arriti sukses në bujqësi në vitin 2012. Katër vjet më vonë, arritjet e tij të jashtëzakonshëm në mbjelljen e portokallit u përhapën dhe kopshti i tij gjigant me portokalle priti një mysafir të posaçëm, kryeministrin Li Keqiang. Për rrugën që ka kaluar, Deng Daqing-u thotë: "Në vitin 1998, mbolla mbi 10 mijë rrënjë kumbulla. Pas dështimit, provova edhe dy lloje të tjera pemësh frutore. Në vitin 2006 nisa të merresha me kultivimin e portokalleve që përdoreshin vetëm për prodhimin e lëngjeve. Gjashtë vjet më vonë pata sukses më në fund në mbjelljen e portokallit navëll".

Në vitin 2012, kur ai shijoi shijen e suksesit, shumica e banorëve vendorë ishin të varfër. Prandaj, dy vjet më vonë, me të mbledhur investime të mjaftueshme, Deng krijoi një kooperativë, e cila tani menaxhon mbi 153 hektarë tokë të mbjellë me portokall navëll. Jo vetëm kaq, kooperativa e fshatit u anëtarësua në një organizatë përkatëse të qytetit Ruijin, duke gjetur hapësirë më të madhe për shitjen në treg.

Sipas z. Chen Fobao, kryetar i komunës ku jeton Deng-u, kooperativa i ndihmon fshatarët të punojnë me efektivitet më të lartë ekonomik:"Banorët në vështirësi ekonomike mund të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me kooperativën, duke e bërë tokën e tyre bazë për mbjelljen e portokajve. Kjo ka zgjidhur një sërë problemesh për fshatarët që nuk dinë shumë për financimin, teknologjinë dhe metodat e shitjes dhe ka shmangur rreziqet e mundshme. Nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes, familjet e varfra mund të mbjellin portokall në tokën e tyre dhe të kooperativës. Ndërsa kooperativa, që blen me shumicë nga prodhuesit e plehrave kimike, mund të sigurojë një çmim më të arsyeshëm, duke ulur koston e mbjelljes të fshatarëve".

Vitin e kaluar fshati Longhu realizoi nga shitja kolektive e portokajve, të rritur me të njëjtat standarde, të ardhura bruto mbi 100 milionë juanë, ose 14.4 milionë dollarë amerikanë.

Tani në mbarë qytetin Ruijin ka 10.4 mijë hektarë tokë që përdoren për mbjelljen e portokallit navëll, duke zgjidhur problemin e punësimit të 10 mijë familjeve të varfra. Chen Fobao i tha Radios së Jashtme të Kinës se, me kushtet e veçanta gjeografike dhe klimatike, zhvillimi i sektorit të kultivimit të portokallit është shpresa e zhdukjes së varfërisë për mbarë komunën.

"Zona jonë gjendet në gjerësi veriore 32.5 gradë, ku mund të prodhohet protokalli navëll më i mirë. Në një sferë më të gjerë, në jug të provincës sonë gjendet 17.2 % e tokës së mbjellë me portokall navëll në botë, duke zënë 11.3 % të vëllimit të përgjithshim të prodhimi global. Ky është një sektor me shumë mundësi", tha Chen-i.

Përveç portokallit navëll, qyteti Ruijin ka krijuar edhe 429 baza bujqësore, 743 kooperativa, 337 ferma familjare për mbjelljen e zarzavateve dhe bimëve industriale si kolëza vajëse, duhani etj., duke ndihmuar 62.6 % të atyre që dolën nga varfëria.

Trajnimi profesional është një rrugë tjetër për përmirësimin e jetesës së banorëve. Të marrim për shembull kualifikimin e drejtuesve të kamionëve. Bashkia e Ruijin-it, nëpërmjet vendosjes së bashkëpunimit me autoshkollat vendore, u ofron trajnim falas kursantëve nga familjet e varfra dhe, pasi ata marrin certifikata, ua propozon kompanive në krahinat e zhvilluara për t'i punësuar.

Pagesa e trajnimit për kursantët nga familjet e varfra ndahet mes tre palëve: qeveria, autoshkolla dhe kompanitë që kanë kërkesë për punonjës.

Zbutja e varfërisë është një punë sistematike që kërkon një kohë të gjatë. Për të hequr pengesat e komunikimit, qyteti Ruijin krijoi një platformë të informacionit në internet dhe hapi një linjë të drejtpërdrejtë telefonike për të mbledhur ankesat, kërkesat, këshillat dhe sugjerimet e qytetarëve në këtë drejtim.

Për këtë, z. Zeng shpjegon:"Nëpërmjet tyre, mund të mësojmë shpejt situatën e zbatimit të politikave dhe të kryerjes së detyrave nga kuadrot tanë. Nga ana tjetër, zbutja e varfërisë është një punë që ka të bëjë me sektorë të ndryshëm dhe, kur qytetarët hasin probleme, ata ndoshta nuk dinë kë duhet të kontaktojnë. Prandaj, këto janë si një urë që lidh qeverinë me kërkesat e banorëve. Tani, për problemin që paraqitet në çdo telefonatë, duhet të japim përgjigje brenda katër ditësh".

Nëpërmjet masave të tilla, vitet e fundit, qyteti Ruijin ka pasur rezultat të dukshëm në zbutjen e varfërisë. Nga viti 2015 deri tani, 76 935 banorë kanë dalë nga varfëria dhe përqindja e varfërisë ndër banorët e fshatit është ulur nga 14.3% deri në 0.91%.

Mrekulli
Lajmet Kryesore