| 2016-12-05 16:00:22 | xinhua | Komenti juaj | Printoni |
Krahasuar me ata që kanë jetuar në lashtësi ne sot e konsiderojmë veten me fat përsa i përket zgjedhjeve për martesë, apo lidhje sentimentale. Kjo për faktin se në ditët tona individi ka më shumë liri për të zgjedhur personin e dashur.

Në Kinën e lashtë martesa vendosej nga prindërit e të rinjve por në disa raste edhe nga shteti. Madje në disa periudha historike si gjatë dinastisë Jin që ka sunduar në vitet (265-420), politika martesore arrinte në disa ekstreme. Kjo lidhej me moshën e vajzës, e cila nuk duhet të kalonte 17 vjeç pa u martuar, se në të kundërt martesa e saj vendosej nga administratorët vendorë.
Pavarësisht kësaj, politikat detyruese për martesë ishin të rralla, pasi në Kinën e lashtë kishte mënyra të tjera që nxitnin të rinjtë për të krijuar familje.
Zyrtarët për lidhje martesore në dinastinë Zhou

Gjatë dinastisë kineze Zhou në vitin 256 p.e.s lindi një klasë e re nëpunësish shtetërorë, e atyre që përgjigjeshin për martesat. Madje atëkohë doli dhe libri me titull "Ritet e Zhout", ku përshkruhej veprimtaria e punonjësve shtetërorë që merreshin me martesat e qytetarëve. Ata mund ti quajmë edhe mbles shtetërorë, që vepronin në mesin e shekullit të 2-të p.e.s.
Gjatë 3 Mbretërive në vitet 220-280 në zonat në kufijtë jugorë të Kinës kishte mblesë zyrtarë. Edhe gjatë dinastive të mëvonëshme Tang dhe Song procesi i fejesave lehtësohej me politika të posaçme shtetërore, të cilat i nxitnin të rinjtë të martoheshin në moshë të re.
Mblesët zyrtarë gjatë këtyre dinastive ishin më profesionistë dhe caktoheshin nga qeveria, madje në dinastinë e mëvonëshme Yuan në vitet 1271-1368 ata ishin të certifikuar. Gjatë sundimit të dinastisë së fundit të Kinës, Qing (1644-1911), vazhdoi tradita e martesave me mblesëri të ndërmjetësuara nga punonjësit e shtetit.
Shanset për mblesëri rriteshin gjatë festave

Të rinjtë kinezë në kohët e lashta mund të lidheshin në martesë me dashuri, por ata që nuk e kishin këtë fat i martonin prindërit ose shteti.
Në periudhën e Pranverës dhe Vjeshtës në vitet 770-476 p.e.s ekzistonte "Takimi i mesit të pranverës" një veprimtari e përvitshme që organizohej në ditën e tretë të marsit, sipas Kalendarit Hënor të Kinës. Pikërisht në këtë ditë të rinjtë kishin rastin të njiheshin me njeri-tjetrin.
Madje në librin "Ritet e Zhout" thuhet se nëse një i ri dhe një e re dashuroheshin gjatë takimit të mesit të vjeshtës, ata mund të martoheshin menjëherë, pa patur nevojë për miratimin e prindërve të tyre. Tradita e takimit të të rinjve gjatë festës ishte mjaft interesante. Vajzat e reja me një gotë verë në dorë vraponin deri në breg të lumit ku ndodheshin djemtë. Pas këtij takimi të rinjtë mund të komunikonin lirshëm me njeri-tjetrin.
Një tjetër festë ku të rinjtë mund të takoheshin e njiheshin me qëllim martese ishte dhe Festa e Fenerëve. Vajzat beqare në mbrëmjen e kësaj feste dilnin në panairin e luleve ku mund të takoheshin me djemtë beqarë, kandidatë për martesë. Poeti i njohur Ouyang Xiu, që ka jetuar gjatë dinastisë Song i ka kushtuar poezinë me titull "Yuan Xi" takimeve të tilla mes të rinjve.

Një pjesë e të rinjve vendosnin të mos martoheshin dhe të jetonin si beqarë. Ata nuk i detyronte as familja dhe as shteti të martoheshin, pavarësisht shoqërive patriarkale në të cilat jetonin. Një epitaf në muzeun e Xi'an, të provincës Shaanxi flet për jetën e një beqari të quajtur Liu, i cili gjatë dinastisë Jinn ë vitet (1115-1234) zgjodhi të jetonte i vetëm.
Liu e kaloi jetën duke mbledhur vepra në kaligrafi dhe pikturë dhe kishte një shpirt të pasur artistik. Motoja e tij ishte se nëse nuk mund të gjente një vajzë që ta dashuronte, më mirë të jetonte i vetëm.
Kishte disa individë të tjerë të cilët nuk martoheshin, pasi duhet të kujdeseshin për prindërit e tyre. Në një nga dokumentet e lashta me titull "Zhan Guo Ce" thuhet se shumë individë të kohës preferonin të mos martoheshin dhe ta kalonin jetën në manastire taoiste apo budiste. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për njerëzit e thjeshtë, por edhe për anëtarë të familjeve perandorake. Shembull për këtë janë princeshat Jinxian dhe Yuzhen, dy motra që jetonin gjatë dinastisë Tang, të cilat zgjodhën jetën prej murgeshash taoiste. Madje i ati i tyre perandori Li Dan, duke mbështetur zgjedhjen e këtyre vajzave ndërtoi tempuj taoistë. (Eda Merepeza)
