Përpjekjet e Kinës për ruajtjen e paqes

2016-06-21 13:24:10 xinhua Komenti juaj Printoni

Trupi i ushtarit kinez Shen Liangliang që sakrifikoi jetën duke shërbyer në misionin e paqeruajtës në Mali mbërriti më 9 qershor në qytetin Changchun, ku ai kishte shërbyer për 11 vjet. Nga ekranet e televizionit shikuesit në mbarë vendin ndoqën ceremoninë e mbërritjes së trupit të pajetë të paqeruajtësit kinez. Në ceremoni ishte i pranishëm dhe zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kinës, Yi Xiaoguang. Në atdhe mbërriti dhe paqeruajtësi Yang Zhancheng, i plagosur rëndë në kokë, gjatë sulmit ndaj misionit në Mali.

Në fund të majit, shpërthimi i një autobombe në qytezën Gao të Malit shkaktoi vdekjen e paqeruajtësit 29 vjeçar, Shen Liangliang, rreshter i parë dhe plagosjen e 7 ushtarëve të tjerë kinezë. Pasi mësoi lajmin e ërndë, kryetari i Komisionit Ushtarak Qendror Xi Jinping urdhëroi kthimin në atdhe të trupit të dëshmorit.

Sulmi në Mali u dënua me forca nga Këshilli i Sigurimit dhe pala kineze i kërkoi qeverisë së Malit dhe OKB-së të zhvillojnë sa më parë një hetim për kapjen dhe dënimin e autorëve. Pavarësisht incidentit tragjik, qeveria kineze ritheksoi mbështetjen për misionet paqeruajtëse.

Sivjet është 26 vjetori i pjesëmarrjes së Kinës në misionet paqeruajtëse në mbarë botën ku kanë marrë pjesë rreth 30 mijë ushtarë kinezë. Ndër 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina radhitet në vendin e parë për nga numri i personelit paqeruajtës.

Si ka kontribuar Kina në misionet paqeruajtëse në 26 vjet?

Në prillin e vitit 1992, qeveria kineze dërgoi një grup xhenierësh në Kamboxhia për riparimin e rrugëve, mirëmbajtjen e aeroporteve, si dhe detyra të tjera ndërtimi dhe projektimi. Pas kësaj, më shumë ushtarë kinezë u dërguan jashtë vendit në misione luftarake ose jo, në shumë vende të botës, si Timori Lindor, Liberi, Haiti, Liban, Mali, Sudan etj.

Në fillim, forcat kineze u përqendruan në Lindjen e Mesme, ndërsa tani ushtarët kinezë po veprojnë në 11 rajone të botës, duke dhënë ndihma në projektim, logjistikë, shëndetësi, mbrojtje të sigurisë etj. Me 844 milionë dollarë amerikanë, buxheti vjetor i Kinës për paqeruajtën është i dyti më i lartë ndër të gjithë anëtarët e OKB-së. Ushtarët kinezë kanë hequr ose çaktivizuar mbi 9.4 mijë mina dhe lëndë të tjera plasëse, kanë ndërtuar 13 mijë km rrugë dhe mbi 300 ura, kanë mjekuar mbi 160 mijë pacientë, kanë transportuar mbi 1.2 milionë tonë materiale ndihmë, dhe kanë kryer mbi 1.5 mijë herë misione shoqërimi.

Përveç këtyre misioneve forcat paqeruajtëse kineze kanë kontribuar dhe në veprimtaritë e shoqërisë civile në vende të ndryshme.

Pas luftës civile 14 vjeçare infrastruktura e Liberisë ishin shkatërruar plotësisht. Trupat kineze, jo vetëm ruajtën rendin, por ndërtuan edhe disa rrugë lokale. Pasi u njohën me kushtet e motit në Liberi forcat kineze ndihmuan liberianë të mbillnin oriz.

Profesionalizmi dhe paraqitja e shkëlqyer e ushtarëve kinezë janë vlerësuar në mbarë botën. Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm(SIPRI) në një raport të publikuar në vitin 2009 thekson se "Trupat ushtarake të Kinës janë të përgatitura, të disiplinuara dhe me nivel të lartë profesional. Imazhi i tyre gjatë kryerjes së misioneve ka forcuar ligjshmërinë e veprimeve paqeruajtëse të OKB-së në botë".

Zv./përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Mali, Koen Davidse nënvizoi se: "Forcat ushtarake kineze kanë krijuar një shembull për efektivitetin, nga i cili shpresoj se vendet e tjera mund të mësojnë". Kurse në Sudanin e Jugut, programet e trajnimit të forcës ushtarake kineze janë shpërndarë tek trupat e vendeve të tjera paqeruajtëse për të dhënë përvojë. Kur zhvillojnë aktivitete në këtë vend, organizatat e OKB-së, si Programi i Ushqimit (WFP), Programi i gruas, i Fëmijëve (UNICEF) etj., u kërkojnë trupave kineze të zbatojnë misionet e mbrojtjes së sigurisë, sepse "ndihen më të sigurtë".

Pavarësisht kontributit, nuk duhet të harrohen sakrificat që Kina ka bërë në këtë drejtim. Deri tani, 18 ushtarë kinezë kanë dhënë jetën gjatë 24 misioneve paqeruajtëse të OKB-së. 8 prej tyre humbën jetën në tërmetin e Haitit, 3 në aksidente rrugore dhe të tjerë në konflikte lokale, epidemi ose sulme terroriste.

Qeveria kineze ka shprehur vendosmëri dhe këmbëngulje në zbatimin e përgjegjësisë së saj për komunitetin ndërkombëtar. Në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në vitin 2015, presidenti i Kinës Xi Jinping tha se Kina do të krijojë një force policore paqeruajtëse, të përbërë nga 8000 ushtarë.

Sipas tij, Kina do të përdorë 1 miliard dollarë amerikanë për krijimin e Fondit të Paqes dhe të Zhvillimit Kinë-OKB për të mbështetur punën e kësaj organizate ndërkombëtare dhe bashkëpunimin shumëpalësh në drejtim të paqes dhe të zhvillimit të botës.

Mrekulli
Lajmet Kryesore