Shkëmbim përvoje për pandat

2016-05-31 15:06:27 CRI Komenti juaj Printoni

Të huajt trajnohen në Kinë për kujdesin ndaj pandave

Pandat janë një simbol i Kinës, por ndër vite kjo kafshë e rrallë ka nisur të vizitojë dhe shtete të tjera të botës, kryesisht kopshte zoologjike. Që nga koha e dinastive Kina ka dhuruar panda për vende të ndryshme aziatike por edhe europiane, latinoamerikane dhe në veri të kontinentit amerikan. Pikërisht kjo lëvizje miqësore është cilësuar si "diplomacia panda e Kinës".Sipas një raporti të vitit 2014 49 panda ndodhen në 18 kopshte zoologjike në 13 vende të botës. Ekzistenca e arinjve panda në disa kopshte zoologjike të botës bën që punonjësit e tyre të trajnohen në kujdesin ndaj pandave, ushqimin apo kujdesin shëndetësor ndaj tyre. Ku më mirë se sa në Kinë këta trajnues të huaj mund të specializohen? Për këtë qëllim vitet e fundit sa vjen e rritet numri i të huajve,që vijnë për kurse trajnimi disamujore në qendrat e specializuara për mirërritjen e pandave në Kinë.

Madje trajnimi i tyre kalon caqet e kujdesit të thjeshtë ndaj pandave dhe në shumë raste ka të bëjë dhe me studime shkencore rreth tyre, kryesisht rreth riprodhimit të kësaj kafshe të rrallë.  

Dy prej specialisteve të huaja që erdhën në Kinë për një kurs trajnimi për kujdesin ndaj pandave janë holandezet Brenda Vah dhe Marga Gerritsen. Ato kryen një trajnim njëmujor në Qendrën kërkimore të Pandave, në provincën jugperëndimore të Kinës, Sichuan. Ndër shumë elemente të kujdesit ndaj pandave ato mësuan dhe si të gatuajnë ushqimin për arinjtë e rrallë. Marga Gerritsen thotë për CCTV "Për ne është shumë e rëndësishme të ndodhemi këtu, sepse në Holandë ne kujdesemi për shumë kafshë por jo për panda kineze, ndaj kemi ardhur të mësojmë çdo gjë rreth kujdesit ndaj tyre. Është një mundësi e mirë të kryesh një kurs në këtë qendër të specializuar për pandat."

Prej 20 vjetësh Kina ka një projekt bashkëpunimi për pandat me 12 kopshte zoologjike në 10 vende të botës. Kina ka dhënë me qira 30 panda në vende të ndryshme të botës. Ndërsa në Holandë pandat kineze ndodhen në Kopshtin Zoologjik Ouwehands. Ndërsa eksperti, Li Desheng flet për kurset e të huajve në kujdesin ndaj pandave në Qendrën kërkimore të Sichuanit. "Çdo pranverë dhe vjeshtë institucionet ndërkombëtare që bashkëpunojnë me ne dërgojnë specialistët e tyre për tu trajnuar në Qendrën tonë, për çeshtje të thjeshta të kujdesit ndaj pandave deri te fertilizimi artificial i tyre. Marrëveshja me kopshtet zoologjike në botë përfshin dhe dërgimin e ekspertëve kinezë të pandave në këto vende për të ofruar atje trajnime për stafet e tyre. Kryesisht ekspertët kinezë shkojnë në kopshtet zoologjike të huaja në rastet e lindjes së këlyshëve të pandave."

Arinjtë panda të Kinës

Panda gjigande, i njohur gjithashtu si ariu panda apo thjesht panda e ka vendlindjen në Kinën Jugore dhe Qendrore.Panda gjigande jeton kryesisht në zonën malore në Kinën Qendrore, në provincën Sichuan, por dhe në provincat fqinje Shaanxi dhe Gansu. Ky lloj ariu dallohet për gëzofin e bardhë me pulla të zeza si dhe rrathët e zinj rreth syve, mbi veshë, si dhe në të gjithë trupin. Emri "panda gjigande" është përdorur për ta dalluar ariun bardhezi nga një specie tjetër me ngjyrë të kuqërremtë. Edhe pse i takon llojit mishngrënës ose " Carnivora", dieta ushqimore e pandës në mbi 99% përbëhet nga bambuja, por edhe zhardhokë e më pak mish.

Pandat që jetojnë në kopshte zoologjike ushqehen dhe me mjaltë, vezë, peshk, portokall, banane së bashku me ushqimin e përgatitur posaçërisht për to. Pandat peshojnë nga 100 deri në 115 kg, ku zakonisht mashkulli ka një peshë më të madhe. Ndërsa gjatësia e një pande varion nga 60-90cm. Jetëgjatësia e një ariu panda është 20 vjet.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore