2020-07-05 11:56:29 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ditët e fundit, një pjesë e politikanëve australianë po zhvillojnë veprime kundër Kinës, duke shkaktuar shqetësim te shoqëria australiane dhe bashkësia ndërkombëtare.
Kohët e fundit, vihet në dukje në një koment të CMG-së, mbi 10 punonjës të agjencisë australiane të zbulimit bastisën shtëpinë e deputetit të shtetit të Uellsit të Ri Jugor Shaoquett Moselmane, për të gjetur dëshmi mbi dyshimet lidhur me "lidhjet e fshehta" të tij me Kinën. Sipas njoftimeve të mediave australiane, ky veprim u shkaktua nga fakti që Moselmane ka qenë shumë herë në Kinë dhe është mik i Kinës. Në mars të këtij viti ai botoi një artikull ku vlerëson, mbi bazën e fakteve përpjekjet e Kinës kundër epidemisë. Tani edhe shumë gazetarë kinezë në Australi po shqetësohen nga policia australiane. Është e çuditshme që këto ndodhin në Australi, që e quan veten një "shoqëri pluraliste".
Nga ana tjetër, janë zbuluar edhe veprimtari spiunazhi nga Australia kundër Kinës. Mediat kineze njoftuan ditë e fundit se brenda ambasadës kineze në Australi, e cila është ndërtuar në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, pala australiane ka instaluar një sasi të madhe pajisjesh përgjimi, të cilat mbulojnë pothuajse çdo kat, madje edhe depon. Përballë fotografive të publikuara nga pala kineze, pse politikanët australianë duket sikur nuk shikojnë? Kush po e kërcënon sigurinë e vendeve të tjera?
Sipas analistëve, politikanë australianë me veprimet e veta s'mund të dalin nga "hija" e ShBA-së që ndjek politikën e kufizimit të Kinës. Më 1 korrik, Australia njoftoi një strategji të re të mbrojtjes kombëtare dhe planifikon të investojë 270 miliardë dollarë australianë në 10 vjetët e ardhshëm për të forcuar aftësitë e mbrojtjes kombëtare. Qëllimi është që të vendosen trupa në të gjithë rajonin e Indo-Paqësorit. Kryeministri australian Scott Morrison tha se ishte i shqetësuar për "ngritjen e Kinës". Mund të vërehet lehtë që Australia me këtë lëvizje ka qëllimin për të bashkëpunuar me ShBA-në në përpjekjet për të kontrolluar Kinën.
Por politikanët australianë a do të përfitojnë nga luajtja e rolit si ndihmës të ShBA-së? Shumë analistë mendojnë se, sipas listës së buxhetit të mbrojtjes të Australisë, pjesa më e madhe e pajisjeve do të blihen nga ShBA-ja.
Lidhur me këtë, përdoruesit australianë të internetit e kritikuan qeverinë e Morrison-it se po sakrifikon interesat e Australisë për të kënaqur Shtetet e Bashkuara. Brendan Thomas-Noone, profesor për Politikat e Jashtme dhe të Mbrojtjes i Qendrës për Studime Amerikane në Universitetin e Sidneit, botoi një artikull në gazetën "The Guardian", ku shprehet se Australia duhet të shtojë shkëmbimet me Kinën e jo të përpiqet ta kufizojë Kinën.
Në 10 vjetët e fundit, vëren CMG-ja në komentin e vet, procesi i shpejtë i industrializimit dhe urbanizimit të Kinës ka krijuar një kërkesë të fortë për minerale, energji, produkte bujqësore dhe blegtorale etj. nga Australia. Sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të Australisë, eksportet australiane në Kinë vjet ishin 103.9 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje vjetore prej 18.3 %, duke përbërë 38.2 % të eksporteve të përgjithshme të Australisë. Kina vazhdon të ruajë statusin e vet si partnerja më e madhe tregtare e Australisë, destinacioni më i madh i eksportit dhe burimi më i madh i importeve për Australinë. Mund të thuhet se Australia ka përfituar shumë nga bashkëpunimi ekonomik e tregtar me Kinën dhe shkatërrimi i marrëdhënieve dypalëshe nuk do të sjellë asgjë të mirë për popullin australian.
Në fakt, veprimet e njëanshme të autoriteteve amerikane përbëjnë një kërcënim të vërtetë për interesat e Australisë. Në fushën ekonomike, ShBA-ja dëmtoi qëllimisht sistemin tregtar global shumëpalësh me OBT-në në thelb, duke dëmtuar interesat e fuqive të mëdha tregtare, përfshirë Australinë. Në fushën politike, ShBA-ja u tërhoq nga shumë organizata dhe ka shmangur vazhdimisht detyrimet ndërkombëtare. Ka pasur edhe fërkime midis ShBA-së e Australisë për shkak të prishjes së marrëveshjes së refugjatëve të nënshkruar nga të dy vendet gjatë administratës së Obamës.
Në komentin e CMG-së thuhet se në një anë Australia dëshiron të përfitojë nga zhvillimi ekonomik i Kinës, por nga ana tjetër përpiqet t'i kundërvihet Kinës për të kënaqur ShBA-në. Qëndrimet e politikanëve australianë në politikën ndërkombëtare janë absurde. Ata duhet ta dinë se vetëm duke hequr dorë nga veprimet diplomatike për të kënaqur ShBA-në dhe duke ndrequr politikën e tyre ndaj Kinës, do të mbrojnë interesat e popullit australian. (Çang Çuo)