Qarqet e ndryshme hongkongase përkrahin zbatimin e Ligjit të Sigurisë Kombëtare në Hong-Kong

2020-07-02 17:19:36 CRI Komenti juaj Printoni

Më 1 korrik, me rastin e 23-vjetorit të kthimit të Hong-Kongut në gjirin e atdheut, qarqet e ndryshme hongkongase zhvilluan aktivitete për kremtimin e kësaj dite pas hyrjes në fuqi dhe zbatimit të Rregullores së Himnit Kombëtar dhe të Ligjit për Mbrojtjen e Sigurisë Kombëtare në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut.

Më 1 korrik u shfaq në Hong-Kong filmi "Himni kombëtar". Para nisjes së filmit, shikuesit në kinema kënduan në një zë himnin kombëtar kinez, në shenjë përshëndetjeje për zbatimin e rregullores dhe të ligjit për sigurinë kombëtare. Kryetari i Federatës së të Rinjve të Hong-Kongut, Tan Zhenguo, tha se pas zbatimit të këtij ligji, ai ka besim të plotë për të ardhmen e rajonit:

"Për ne hongkongasit, miratimi i një projektligji të tillë është një inkurajim. Si një qytetar i thjeshtë, mbështes me vendosmëri qeverinë qendrore dhe e falënderoj për besimin e përkushtimin e saj ndaj Hong-Kongut. Besoj se pas zbatimit të këtij ligji, shoqëria hongkongase do të kthehet shumë shpejt në normalitet."

Kryetari i Federatës së Punëtorëve të Hong-Kongut Wu Qiubei tha në një aktivitet se publikimi e zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Sigurisë Kombëtare në Hong-Kong do të garantojë qetësinë afatgjatë në rajon:

"Mendoj se ka rëndësi të madhe. Në të kaluarën ishim pa mbrojtje, kurse tani mund të parandalojmë veprimet e paligjshme në mënyrë ligjore. Kështu, rendi publik dhe siguria në Hong-Kong do të garantohen nga ana ligjore."

Kryetari i Komisionit të Kremtimit të Qarqeve të Ndryshme të Hong-Kongut Tan Jinqiu theksoi se hartimi i Ligjit për Mbrojtjen e Sigurisë Kombëtare në Hong-Kong nga niveli shtetëror është i domosdoshëm për zhvillimin e vendit dhe të kombit. Ai shprehu shpresën se nëpërmjet filmit "Himni kombëtar", më shumë hongkongas do ta njohin historinë e atdheut dhe gjendjen e tanishme të zhvillimit, që të shtojnë krenarinë kombëtare:

"Hartimi i ligjit është vetëm një metodë. Në fakt, ai synon që të gjithë hongkongasit të respektojnë vendin e kombin dhe të bëjnë përpjekje të përbashkëta për rilindjen kombëtare dhe për lulëzimin afatgjatë të Hong-Kongut. Në fakt, kjo është përgjegjësia e një shtetasi, që të respektojë dhe të dashurojë vendin e vet, apo jo?"

Mrekulli
Lajmet Kryesore