2020-07-01 11:35:41 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Një nga ekspertët kryesorë të sëmundjeve infektive në ShBA ka paralajmëruar që rastet e koronavirusit në vend mund të arrijnë në 100 mijë në ditë.
Doktor Anthony Fauci shprehu shqetësimin e vet para Senatit që katër shtete zënë 50 % të infeksioneve të reja në vend:
"Jam shumë i shqetësuar dhe nuk jam i kënaqur me atë që po ndodh, sepse po shkojmë në drejtim të gabuar, nëse shikoni lakoret e rasteve të reja. Prandaj duhet të bëjmë vërtet diçka për këtë dhe duhet ta bëjmë shpejt. Përgjigjja e shkurtër për pyetjen tuaj është qartazi që tani nuk kemi kontroll të plotë".
Fauci dhe zyrtarë të tjerë të lartë të administratës dëshmuan të martën përpara një paneli të Senatit që shqyrtoi përgjigjen e administratës ndaj pandemisë së koronavirusit.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin se njerëzit po grumbullohen pa ndonjë mbulim të fytyrës dhe duke shpërfillur rregullat e distancimit shoqëror.
BE-ja ka vendosur të rihapë kufijtë për vizitorët nga 14 vende, por jo nga ShBA-ja.
Disa nga shtetet në ShBA që u rihapën herët tani po tërhiqen, për shkak të një rritjeje alarmante të infeksioneve nga koronavirusi.
Arizona ka mbyllur baret, palestrat, kinematë e parqet ujore dhe njerëzit janë urdhëruar të mbajnë maska.(Zhan Dian/Artan Goga)