2020-07-01 11:28:04 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Më 25 qershor ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding u takua me kryetarin e Bashkisë e Lezhës Pjerin Ndreu, duke i dorëzuar 100 000 maska të dhuruara nga kompanitë kineze dhe kinezët në Shqipëri. Ishte i pranishëm në këtë ceremoni edhe drejtori i Spitalit Rajonal të Lezhës Leon Kaza.
Ambasadori Zhou tha se miqësia tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë ka një histori të gjatë dhe popujt e të dy vendeve ndajnë të njëjtën kujtesë historike dhe ndjenja të thella. Në luftën kundër epidemisë së COVID-19, Kina dhe Shqipëria janë bashkë dhe duhet të mbështesin njëra-tjetrën. Qeveria kineze, ndërmarrjet dhe organizatat joqeveritare kanë siguruar disa kontingjente ndihme me materiale antiepidemike për palën shqiptare. Ambasador Zhou vuri në dukje se situata epidemike në Shqipëri nuk ka mbaruar ende. Ai shprehu shpresën se këto materiale do ta ndihmojnë Lezhën në luftën kundër epidemisë dhe se Shqipëria do ta kapërcejë epideminë sa më shpejt dhe do të fillojë përtëritjen ekonomike.
Kryebashkiaku Pjerin Ndreu dhe drejtori i spitalit Leon Kaza vlerësuan lart së pari kontrollin e shpejtë të përhapjes së epidemisë në Kinë, duke thënë se masat e kontrollit dhe të mbrojtjes në qytetin e Wuhan-it me një popullsi prej 11 milionë banorësh, dhe në të gjithë Kinën ishin të forta, dhe se qytetarët kanë bashkëpunuar me vetëdije. Ata shprehën falënderime të sinqerta për Kinën për dhurimin e materialeve të vlefshme. Kyçi i parandalimit dhe kontrollit të epidemisë qëndron në ndërprerjen e përhapjes, vunë në dukje ata, duke thënë se këto maska do të luajnë një rol të rëndësishëm në mposhtjen e plotë të epidemisë(Vera).