2020-06-28 19:26:00 | CRI | Komenti juaj | ![]() |
Printoni |
Kina ka regjistruar një rritje të lehtë në përqindjen e punësimit në maj, pasi autoritetet zbatuan një sërë politikash të favorshme për ta rritur punësimin gjatë pandemisë.
Sipas të dhënave zyrtare, janë krijuar 4.6 milionë vende punë në 5 muajt e parë të këtij viti, duke u pakësuar afro 1.4 milionë në krahasim me shifrën e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Përqindja e papunësisë në zonat urbane ishte 5.9% në maj, duke u ulur për 0.1 pikë përqindje nga shifra e muajit të kaluar.
Kina po synon rritjen e afro 9 milionë vendeve të reja të punës në qytet dhe mbajtjen e përqindjes së papunësisë në afro 6% këtë vit.
Zhang Ying është nga Ministria e Burimeve Njerëzore dhe Sigurimeve Shoqërore.
Ajo tha se qeveria kineze ka prezantuar një sërë politikash për të pakësuar ngarkesën e ndërmarrjeve për të stabilizuar tregun e punësimit.
"Për herë të parë, kemi zbatuar politikën e uljes së tarifave të sigurimeve të pensionit. Kemi shtuar subvencionet për sigurimet e papunësisë dhe rritur fluksin e parave tek ndërmarrjet, veçanërisht tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme."
Në 5 muajt e parë të këtij viti, subvencionet prej 55 miliardë juanësh, ose afro 7.7 miliardë dollarë amerikane janë ofruar tek afro 4 milionë ndërmarrje në tërë vendin.
Në prill, këto politika të favorshme kanë ndihmuar në pakësimin e tarifave të sigurimeve shoqërore prej afro 340 miliardë juanësh për ndërmarrjet.
Këshilli i Shtetit ka vendosur që të ulë ose të heqë kontributet e punëdhënësve për pensionin e pleqërisë, sigurimet e papunësisë dhe të garantimit të vendit të punës për të ndihmuar në kalimin e periudhës së vështirë.
Për të shtuar vendet e punës, qeveritë vendore kanë marrë gjithashtu masa të ndryshme. Zeng Yi është nga Qendra e Sipërmarrjes dhe Kredisë në provincën Jiangxi të Kinës juglindore.
Ajo tha:"Për mikrondërmarrjet dhe individët, kemi vendosur një plan kreditimi, që ofro 100 milionë juanë si fond i garantimit për të ndihmuar në marrjen e kredisë. Deri tani, kreditë e lëshuara në këtë provincë kanë arritur në 8.2 miliardë juanë dhe kanë krijuar 260 mijë vende pune."
Në provincën Jiangsu të Kinës juglindore, autoritetet kanë nënvizuar zhvillimin e infrastrukturës së re mbi rrjetin 5G dhe internetin industrial, si një metodë për hapjen e vendeve të reja të punës.
Si rezultat, mbi 517 mijë vende të reja pune janë hapur në 5 muajt e parë, duke u renditur në vendin e parë në këtë vend.
Në të njëjtën kohë, një platformë shërbimesh për rekrutimin në internet të sponsorizuara nga qeveria ka ofruar miliona vende pune për të sapodiplomuarit.
Panairet e punësimit në internet janë organizuar edhe në këtë platformë, duke ofruar vende të reja në fushat si industri të reja strategjike dhe shërbimet shëndetësore.
Numri i të diplomuarve këtë vit është parashikuar që të arrijë në mbi 8.7 milionë. (Xu Guang)