2020-06-23 21:04:18 | CRI | Komenti juaj | ![]() |
Printoni |
Autoritetet kineze po punojnë për të mbështetur firmat eksportuese që t'i shesin produktet e tyre brenda tregjeve të vendit, pasi tregtia e jashtme përballet me sfida për shkak të pandemisë së koronavirusit novel.
Kompanive kineze që merren me eksport u janë anuluar ose vonuar porositë për shkak të pandemisë. Në pesë muajt e parë të këtij viti, importet dhe eksportet e Kinës treguan një prirje rënëse, duke u zvogëluar afro pesë për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Prandaj, autoritetet kanë lëshuar një udhëzues për të mbështetur firmat e eksportit që të shesin produkte brenda tregjeve të vendit.
Sipas udhëzimit, firmat eksportuese do të inkurajohen të punojnë me platformat vendase të tregtisë elektronike.
Wang Qunying është menaxhere shitjesh e një firme eksporti në Shangai. Ajo tha se platformat e tregtisë elektronike ka të ngjarë të bëhen kanali kryesor i shitjes i kompanisë.
"Përmes platformave të tregtisë elektronike, mendoj se kemi hapur një treg të ri. Për shkak se blerja në internet është një kanal i rëndësishëm shitjesh, vëllimi i shitjeve mund të jetë edhe më i madh se vëllimi i tregtisë së jashtme në të ardhmen."
Të dhënat e mëdha të grumbulluara nga platformat e tregtisë elektronike mund të udhëzojnë gjithashtu prodhimin e ndërmarrjeve të eksportit. Për të rritur ndihmën për firmat eksportuese, institucionet financiare do të ofrojnë shërbime financimi.
Autoritetet gjithashtu theksuan masat për të ndihmuar lidhjen e firmave të eksportit me infrastrukturën e re të vendit dhe nismat e urbanizimit, duke përshpejtuar kështu përmirësimin teknologjik të firmave.
Sipas Ministrisë së Tregtisë, eksportuesit kanë regjistruar një zgjerim të shitjeve në tregjet e vendit, duke u rritur me 17 për qind në muajin prill.(Vera/Albana)