Kinë: Projekti masiv për devijimin e ujit vazhdon të sjellë përfitime për banorët

2020-06-23 10:26:21 CRI Komenti juaj Printoni

Vepra e devijimit të ujit në Kinë, më e madhja dhe më e gjata në botë, po vazhdon të sigurojë një furnizim cilësor me ujë për veriun e vendit falë shtimit të kapacitetit.

Projekti i Devijimit të Ujit nga Jugu në Veri u krijua për të dërguar ujin nga lumi Jance në zonat e thata në Veri.

Ai përbëhet nga linjat lindore, qendrore dhe perëndimore.

Linja qendrore, që fillon nga rezervuari "Danjiangkou" në provincën Hubei, siguron ujë për katër rajonet në nivel province në Veri, duke përfshirë Pekinin.

Ajo është bërë një linjë jetike për qytetet që gjenden përgjatë saj që prej fillimit nga funksionimi në vitin 2014, duke sjellë përfitime për rreth 67 milionë banorë të Pekinit e Tianjin-it, si edhe të provincave Hebei e Henan.

Vëllimi i qarkullimit të ujit në këtë linjë është rritur ndjeshëm sivjet, nga 350 në 420 metra kubë për sekondë.

Zhang Dacheng nga Autoriteti i Ujërave i Pekinit thotë:

"Pas punës së mirëmbajtjes në seksionin e Pekinit, mbi 100 milionë metra kubë ujë u dërgua në Pekin brenda një muaji. Projekti jep mbështetje të madhe për garantimin e burimeve ujore të Pekinit."

Deri më 21 qershor, më shumë se 30 miliardë metra kubë ujë u devijuan nëpërmjet fazes së parë të linjës qendrore.

Ekspertët thonë se projekti do të sigurojë më tej furnizimin me ujë për Pekinin, veçanërisht gjatë periudhës së rifillimit të punës pas epidemisë dhe muajve të pikut të verës.

Deri tani, mbi 70 për qind e ujit të pijshëm në Pekin vjen nga ky projekt, duke mundësuar furnizimin me ujë me cilësi më të mirë për mbi 10 milionë banorë.

Gjatë pesë vjetëve të fundit, rezervat e ujërave nëntokësorë në Pekin janë rritur me mbi 1.6 miliardë metra kubë.

Autoritetet thonë se uji i devijuar duhet të shpërndahet dhe shfrytëzohet më mire në rajone të ndryshme, pasi të vijojë ndërtimi i tre linjave në përputhje me kushtet.

Projekti gjithashtu pritet të tërheqë më shumë investime, duke siguruar më shumë mundësi punësimi dhe duke kontribuuar më tej në ekonominë e vendit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore