2020-06-21 12:40:45 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ekspertët në të gjithë botën e kanë dënuar të ashtuquajturin "Projektligj për të drejtat e njeriut të ujgurëve 2020" të miratuar nga Shtetet e Bashkuara, si një ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Kinës.
Të gjitha çështjet në lidhje me Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit janë punë të brendshme të Kinës dhe çdo ndërhyrje e ShBA-së shkel rregullat dhe normat ndërkombëtare të miratuara nga OKB-ja, të drejtën ndërkombëtare dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, tha Ananda Goonatilleke, kryetar i Shoqatës së Miqësisë Sri-Lankë - Kinë.
"Ky i ashtuquajtur projektligj mbi Xinjiang-un e Kinës është një tjetër shembull i politikës hegjemoniste" të ShBA-së, tha Goonatilleke. Ai theksoi se një veprim i tillë do të "dëmtojë sovranitetin e vendeve të pavarura të botës".
"ShBA-ja është gjithashtu një viktimë e terrorizmit dhe duhej të kishte mbështetur masat antiterroriste të Kinës. Por e vërteta është se ShBA-ja po shfaq standardin e vet tipik të dyfishtë kundër terrorizmit," shtoi ai.
Andrei Manoilo, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Moskës, mendon se "ShBA-ja e shikon Kinën si konkurrenten e vet kryesore gjeopolitike dhe ka ndjekur për një kohë të gjatë dhe vazhdimisht një politikë për frenimin e Kinës."
Ndërsa Kina po lufton në mënyrë efektive terrorizmin dhe ekstremizmin, ShBA-ja po përpiqet t'i njollosë këto masa antiterroriste dhe parandaluese, duke i quajtur shkelje masive të të drejtave të njeriut, vuri në dukje ai. (Çang Çuo)