Studentët afrikanë në Kinë morën pjesë në luftën kundër COVID-19

2020-06-17 21:53:15 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, me ngushtimin e marrëdhënieve kino-afrikane, gjithnjë e më shumë studentë afrikanë ndjekin studimet e larta në Kinë. Gjatë epidemisë së COVID-19, shumë studentë afrikanë në Kinë kanë marrë pjesë aktivisht në luftën kundër koronavirusit.

Një prej tyre është një i ri nga Sudani që në Kinë e thërrasin Mu Leilei, i cili po studion në Universitetin e Petrokimisë të provincës Liaoning. Gjatë epidemisë, ai krijoi një grup në rrjetin social "Wechat" si një kanal shkëmbimi midis universitetit dhe studentëve afrikanë. Nëpërmjet kësaj platforme, universiteti ka ofruar shumë informacione të fundit të gjendjes epidemike dhe njohuritë e parandalimit.

Shumë studentë afrikanë kanë marrë pjesë në punët parandaluese bashkërisht me banorët kinezët. I riu tjetër nga Sudani, Mohamad Motassem Mergani u karantinua në lagjen e banimit "Yonghuan" të qytetit Shenyang, pasi vizitoi një mik kinez. Gjatë karantinës, ai doli vullnetar për të ndihmuar në lagje, duke u bërë roje në portën e bllokut të pallateve.

Pas shpërthimit të epidemisë, shumë universitete kineze mbyllën dyert, por ndërkohë i ndihmuan studentët e huaj me blerjen e artikujve të përditshëm dhe u dhanë atyre produkte mbrojtëse, si maska fytyre, termometër, dezinfektues etj.

Një student tjetër me emrin kinez Wen He, këtë herë nga Nigeria, i cili studion në Universitetin e Inxhinierisë të provincës Liaoning, kërkoi që të merrte pjesë në grupin e vullnetarëve dhe mori përsipër matjen e temperaturës dhe dezinfektimit të apartamenteve të studentëve të huaj në shkollë. Ai tha: "Na ka prekur shumë përkujdesi që tregoi universiteti në kohën më të vështirë të epidemisë. Jam shumë i lumtur që luftoj bashkërisht me pedagogët kinezë kundër epidemisë, sepse u rrethova çdo ditë nga një inkurajim i ngrohtë."

Mrekulli
Lajmet Kryesore