2020-06-16 21:45:11 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ditët e fundit u zhvillua një simpozium ndërkombëtar me rastin e 30-vjetorit të shpalljes së Ligjit Themeltar të Hong-Kongut, ku morën pjesë afro 200 specialistë e dijetarë kinezë, rusë, britanikë, gjermanë, spanjollë e indianë. Pjesëmarrësit janë të një mendimi se hartimi i ligjit për sigurinë kombëtare në Hong-Kong do të sjellë qetësinë në këtë rajon dhe do të garantojë zbatimin afatgjatë të parimit "Një vend, dy sisteme".
Në bazë të besimit të plotë për Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, qeveria qendrore i dha rajonit një pjesë kompetence ligjvënëse për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, nëpërmjet nenit të 23-të të Ligjit Themeltar të Hong-Kongut. Por gjatë 23 vjetëve pas kthimit të Hong-Kongut në gjirin e atdheut, kjo përgjegjësi kushtetuese nuk është vënë në zbatim, përkundrazi është stigmatizuar nga disa forca politike. Si pasojë, në Hong-Kong gjenden shumë plasa në sigurinë kombëtare.
Qëllimi i Ligjit Themeltar të Hong-Kongut është mbrojtja e unitetit dhe tërësisë territoriale të shtetit dhe ruajtja e begatisë së Hong-Kongut. Por kundërshtarët në Hong-Kong e marrin përmbajtjen e qeverisë qendrore si dobësi, pa përfillur interesat e 7 milionë banorëve hongkongasë. Çdo vend ku mbizotëron sundimi i ligjit nuk do të duronte veprime të tilla, as Hong-Kongu nuk mund të përballojë pasojat e dëmtimit të brendshëm, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG).
Gjatë një interviste për mediat gjermane, ligjvënësja e Hong-Kongut, Regina Ip Lau Suk-yee tha se nxitja e hartimit të ligjit për sigurinë kombëtare lidhur me Hong-Kongun, është e drejta e ligjshme e Kinës për mbrojtjen e sigurisë dhe interesave kombëtare.
Profesori britanik Anthony Carty, që punon në Shkollën e Drejtësisë pranë Universitetit të Teknologjisë të Pekinit, vuri në dukje në simpozium se vendimi i Kinës për hartimin e ligjit për sigurinë kombëtare në Hong-Kong është alternativa e domosdoshme në aktualitetin politik, që është e arsyeshme dhe e ligjshme.
Shumë hongkongas shprehën miratimin dhe përkrahjen e tyre për hartimin e ligjit për sigurinë kombëtare në Hong-Kong me fjalët si "e prisnim prej kohësh", "duhet të realizohej më parë" etj. Më 24 maj, shoqata dhe personalitete të qarqeve të ndryshme të Hong-Kongut ndërmorën një nismë të përbashkët duke krijuar një organizatë për "mbështetjen e hartimit të ligjit për sigurinë kombëtare". Brenda vetëm 8 ditësh, kjo organizatë mblodhi afro 3 milionë firma (40% të popullsisë në Hong-Kong) nga banorët vendës në shenjë përkrahjeje. Kjo tregon se mbështetja e hartimit të ligjit për sigurinë kombëtare në Hong-Kong është vullneti i pjesës kryesore të hongkongasve. (Wang Lei)