2020-06-16 21:20:59 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Flukset e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) parashikohen të ulen deri në 40 për qind në vitin 2020 dhe me 5 deri në 10 për qind të tjera në vitin 2021, para mëkëmbjes në vitin 2022, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të martën.
Sipas Raportit të Investimeve Botërore 2020 nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), flukset e IHD-ve këtë vit do të qëndrojnë nën 1 trilion dollarë amerikanë për herë të parë në 15 vjet.
Megjithëse ndikimi është i rëndë kudo, ekonomitë në zhvillim parashikohet të shohin rënien më të madhe në IHD, tha James Zhan, drejtori i UNCTAD për investimet dhe ndërmarrjet, pasi ekonomitë në zhvillim mbështeten më shumë në investimet në zinxhirët industrial global, të cilat janë goditur rëndë dhe nuk janë në gjendje të kryejnë të njëjtat masa të mbështetjes ekonomike si ekonomitë e zhvilluara.
Raporti tregoi se flukset botërore të IHD-ve u rritën në mënyrë të moderuar në vitin 2019, 3 për qind, deri në 1.54 trilionë dollarë, pas rënies së konsiderueshme të dokumentuar në vitin 2017 dhe 2018.
Në vitin 2019, ndërsa ndikimi i reformave tatimore të vitit 2017 në Shtetet e Bashkuara u zvogëlua, flukset e IHD-ve drejt ekonomive të zhvilluara u rritën 5 për qind, në 800 miliardë dollarë. Megjithëse me një rënie prej 3 për qind, Shtetet e Bashkuara kryesojnë në thithjen e fluksit të IHD-ve.
Përkundër rënies prej 5 për qind të fluksit të IHD-ve drejt ekonomive në zhvillim në Azi në 474 miliardë dollarë, Azia thithi më shumë se 30 për qind të IHD-ve botërore në vitin 2019.
Duke u përballur me tensionet tregtare, Kina prapë priti një fluks të lartë të IHD-ve me 141 miliardë dollarë, duke u renditur e dyta pas ShBA-së. (Albana)