Rihapen dyqanet në Britaninë e Madhe, Johnson optimist për ekonominë

2020-06-15 17:17:30 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri britanik Boris Johnson u shpreh optimist se ekonomia do të ketë rimëkëmbjen e duhur me hapjen e dyqaneve që tregtojnë produkte më pak të kërkuara në kohë pandemie.

Johnson vizitoi një qendër tregtare në lindje të Londrës të dielën për të inspektuar përgatitjet përfundimtare për rihapjen.

Ai gjithashtu këshilloi blerësit të respektojnë rregullat e distancës fizike kur bëjnë blerje.

"Jam shumë shumë optimist për hapjen e dyqaneve nesër. Kam biseduar me stafin këtu në bare, dyqane këpucësh, Marks dhe Spencer, kudo, dhe ata janë shumë të emocionuar, ata kanë bërë shumë parapërgatitje. Ata nuk janë shumë të sigurt se si do jenë shitjet e nesërme, a do kenë një fluks të lartë klientësh apo jo? Ne këtë nuk e dimë, por mendoj që njerëzit duhet të bëjnë blerje dhe të blejnë pa iu dridhur dora".

Dyqanet që tregtojnë produkte më pak të kërkuara në kohë pandemie kanë qenë të mbyllura prej marsit. Specialistët thonë se kjo është një nga arsyet pse ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar, e cila mbështetet shumë në industrinë e shitjes me pakicë dhe shërbimet, është tkurrur gjatë kësaj periudhe.

Shumë ligjvënës në Partinë Konservatore të Johnson-it duan që të hiqet rregulli i respektimit të distancës prej dy metrash nga një person te tjetri, për ta bërë më të lehtë për bizneset e vogla dhe dyqanet. Johnson tha se rregulli i distancës prej dy metrash në Britani po rishikohet dhe mund të ketë një lehtësim të mëtejshëm të masave të bllokimit në 4 korrik. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore