2020-06-14 11:16:23 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
13 qershori është Dita e Trashëgimive Kulturore e Natyrore e Kinës. Me këtë rast u zhvillua në Pekin dhe Paris ceremonia e fillimit të prodhimit të dokumentarit "Njeriu i Pekinit: Sekreti i fundit i njerëzimit", një prodhim i përbashkët kino-francez. Drejtori i përgjithshëm i CMG-së Shen Haixiong dhe ministri i Kulturës francez Franck Riester e shpallën së bashku fillimin e këtij projekti.
Viti 2021 është 100-vjetori i gërmimit të Zhoukoudian-it, vendndodhja e Njeriut të Pekinit, që mendohet se ka jetuar rreth gjysmë milioni vjet më parë. 2021-shi është edhe Viti i Kulturës e i Turizmit Kinë- Francë.
Dokumentari "Njeriu i Pekinit: Sekreti i fundit i njerëzimit", që parashikohet të shfaqet në dhjetorin e vitit të ardhshëm, ka si qëllim t'u mundësojë shikuesve kinezë e të huaj të njohin rrjedhën e rëndësishme të zhvillimit dhe të evolucionit njerëzor dhe të parahistorisë kineze.
Sivjet, liderët e Kinës dhe Francës kanë zhvilluar 4 biseda telefonike. Më 5 qershor, presidenti kinez Xi Jinping tha në bisedimin telefonik me homologun e vet francez Emmanuel Macron se përballë epidemisë, bashkimi është rruga e duhur. Kina dhe Franca duhet të vazhdojnë të mbështetin bashkimin e komunitetit ndërkombëtar kundër epidemisë dhe të japin "ndihmesën kino-franceze" për të fituar në luftën kundër epidemisë.
Bashkëpunimi në fushën e trashëgimive kulturore është një nga pikat më të spikatura të marrëdhënieve kulturore midis Kinës e Francës. Ekipi i prodhimit të dokumentarit "Njeriu i Pekinit: Sekreti i fundit i njerëzimit" ka shfrytëzur plotësisht internetin për të nxitur komunikimin lidhur me zhvillimin e këtij projekti, duke krijuar një urë të re të shkëmbimeve kulturore kino-franceze.
Edhe UNESCO-ja ka shprehur shpresat e saj për këtë dokumentar. Sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate Audrey Azoulay tha se vendndodhja arkeologjike e Zhoukoudian-it dëshmon procesin e zhvillimit të njeriut dhe të shoqërisë njerëzore. "Ky dokumentar ndërthur studimin shkencor me komunikimin masiv dhe është historia jonë e përbashkët," theksoi ai.
Yves Coben, kryeskenaristi dhe konsulenti shkencor i dokumentarit "Njeriu i Pekinit: Sekreti i fundit i njerëzimit", theksoi se, me përparimin e shkencës, tani ne njohim më shumë se në të kaluarën. "Studimi i zanafillës së njerëzimit tregon se të gjithë njerëzit janë një familje dhe se kemi një histori të përbashkët, megjithëse kemi kombësi dhe kultura të ndryshme", u shpreh ai. (Çang Çuo)