2020-06-13 11:13:29 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kina kërkoi të premten që të kundërshtohet dezinformimi, duke thënë se ka qenë ajo vetë "viktima më e madhe" prej tij.
Në konferencën e përditshme për shtypin, zëdhënësja i Ministrisë së Jashtme Hua Chunying u pyet se si e komentonte heqjen e fundit të dhjetëra mijë llogarive në platformën sociale "Twitter".
Në përgjigjen e vet Hua u shpreh se përpjekjet e Kinës për të luftuar COVID-19 dhe rezultatet e arritura janë reale dhe dëshmohen nga të gjithë. Ajo citoi librin e bardhë të publikuar kohët e fundit nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit për betejën e përbashkët kundër COVID-19 në Kinë, me një paraqitje kohore të qartë dhe fakte konkrete.
Zëdhënësja tha se, që nga shpërthimi i pandemisë, disa njerëz dhe forca në bashkësinë ndërkombëtare kanë qenë pothuajse histerikë në përbaltjen e Kinës me shpifje dhe thashetheme. Ajo citoi një memorandum të publikuar nga mediat amerikane, që këshillonte kandidatët republikanë ta trajtonin krizën e COVID-19 duke sulmuar Kinën në zgjedhjet presidenciale. Ajo përmendi gjithashtu se në "Twitter" ka pasur shumë postime e ripostime që shpërndanin thashetheme për Kinën nëpërmjet llogarive të lidhura me mbështetësit e republikanëve dhe të krahut të djathtë në ShBA, shumë prej të cilave të kontrolluara nga robotët.
"Nëse 'Twitter'-i beson se postimet që lavdërojnë përpjekjet e Kinës kundër epidemisë janë 'dezinformata" dhe llogaritë duhet të mbyllen, pyes se çfarë do të bëjnë ata me dezinformimin e vërtetë, i cili përbalt Kinën me qëllime dashakeqe? Nëse ata që krijojnë dhe përhapin një dezinformim të tillë lejohen të veprojnë si të duan dhe të bëjnë gjithçka që munden, atëherë ky është shembulli i përsosur i paragjykimeve ideologjike dhe paragjykimeve ndaj Kinës, i standardeve të dyfishta dhe i sjelljes që ngatërron të drejtën me të gabuarën. Ato që duhet të mbyllen janë pikërisht llogaritë që sulmojnë dhe hedhin baltë mbi Kinën, në një mënyrë të organizuar dhe të bashkërenduar," u shpreh zëdhënësja e diplomacisë kineze.
Hua shtoi se Kina është viktima më e madhe e dezinformimit dhe i ka kundërshtuar gjithmonë trillimet dhe shpërndarjen e dezinformacionit. OKB-ja dhe OBSh-ja u kanë bërë thirrje të gjitha vendeve që të forcojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin për të luftuar dezinformimin. (Çang Çuo)