Shangai drejt ndërtimit të një kryeqendre të Inteligjencës Artificiale

2020-06-08 20:07:28 CRI Komenti juaj Printoni

Shangai po ndërton qendrën më të madhe të Inteligjencës Artificiale (AI) dhe një bazë industriale në Deltën e Lumit Jance, për nxitjen e zhvillimit të teknologjisë së lartë në rajon.

Gjiganti kinez i teknologjisë "Tencent" ka investuar 45 miliardë juanë për ndërtimin e qendrës dhe bazës industriale në rrethin Songjiang të qytetit, të cilat mbulojnë një sipërfaqe prej rreth 22 fushash futbolli. Tencent dhe qeveria e rrethit Songjiang do ta ndërtojnë dhe drejtojnë qendrën së bashku.

Në këtë qendër do të realizohen llogaritje në shkallë të gjerë të algoritmit të AI-së, llogaritje inxhinierike etj., si dhe do të sigurohen shërbime të informatikës "cloud".

Ndërtimi pritet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Shefi i Qendrës së Inteligjencës Artificiale Dao Feng shpjegoi pse ajo ndodhet në rrethin e Songjiang.

"Qendra superkompjuterike është e rrethuar nga shumë të ashtuquajturat industri ABC: A është për inteligjencë artificiale; B është për të dhënat e mëdha; dhe C është për 'cloud computing'".

Aktualisht ka mbi 800 kompani të inteligjencës artificiale në këtë qark.

Tencent me seli në Shenzhen do të ndërtojë gjithashtu një laborator për sigurinë për garantimin e sigurisë së informacionit të rrethit dhe për të ndihmuar partnerët në industrinë e teknologjisë së lartë të vendosen në Songjiang për të nxitur zhvillimin në rajonin e deltës.

Benjamin Cavender është një analist i njohur nga Grupi i Kërkimeve të Tregut në Kinë. Ai tha se shumë njerëz priren t'i kenë sytë te Shenzhen-i ose Pekin-i kur shohin në tregun e zhvillimit të teknologjisë për shkak të numrit të kompanive të teknologjisë së lartë në këto qytete, por Shangai ka përparësitë e veta të veçanta.

"Shangai me të vërtetë është një qendër për funksionimin e biznesit dhe seli biznesi për shumë nga kompanitë më të mëdha kineze, si dhe për shumë prej shumëkombëshet më të mëdha që zhvillojnë biznesin e tyre në Kinë. Pra, ka kuptim nëse po përpiqeni të ndërtoni shërbimet e biznesit dhe shërbimet e llogaritjes në Shangai, sepse këtu do të jenë shumica e klientëve tuaj".

Ai shtoi se përveç industrive të teknologjisë së lartë, nga kjo qendër do të përfitojnë edhe shumë biznese të tjera.

Menaxheri i projektit tha se pas përfundimit, rrethi periferik Songjiang do të shndërrohet në një shembull të qytetit të zgjuar për korridorin e teknologjisë së lartë G60 dhe Deltën e Lumit Jance.

Korridori i referohet një zone prodhimi të teknologjisë së lartë dhe mban emrin e autostradës G60 që përshkon provincat Zhejiang, Jiangsu dhe Anhui e Shangai.

Sipas një liste Top 500 të kompjuterëve me performancë të lartë të publikuar nga Konferenca Ndërkombëtare e Superkompjuterëve vitin e kaluar, Kina ka mbi 200 nga superkompjuterët më të shpejtë në botë, duke u renditur e para për të katërtin vit radhazi. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore