2020-06-08 10:08:06 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në Portin e Tregtisë së Lirë të Hainan-it në Kinë janë përuruar 11 parqe industriale për të nxitur zhvillimin e turizmit, shërbimeve moderne e industrive të teknologjisë së lartë.
Parqet industriale të hapura në provincën ishullore Hainan, që quhet edhe si "Havaji i Kinës", mbulojnë tre fusha kryesore: turizmin, shërbimet moderne dhe teknologjitë e përparuara.
Kina ka publikuar një masterplan për Portin e Tregtisë së Lirë të Hainan-it, sipas të cilit deri në vitin 2025 "do të krijohet në parim" një sistem i politikave të portit të tregtisë së lirë, i cili do të bëhet "më i pjekur" deri në 2035-n.
Dokumenti e vë theksin në krijimin e një sistemi taksash ndërkombëtarisht konkurrues, që duhet të jetë i përshtatshëm për portin e tregtisë së lirë duke iu përmbajtur parimeve të tarifave zero, përqindjes së ulët të taksave, sistemit të thjeshtuar të taksimit dhe sundimit të ligjit.
Kryetari i Institutit për Reformën dhe Zhvillimin të Kinës Chi Fulin pret që Hainan-i të integrohet më tej në ekonominë globale.
"Porti i Tregtisë së Lirë i Hainan-it është një shembull i formës më të lartë të hapjes ndërkombëtare. Ai synon të krahasohet me portet më të lira të tregtisë në botë. Tiparet e tij gjithashtu përshtaten me prirjen globale të heqjes së tarifave e të pengesave," thotë ai.
Sipas planit për turizmin në Hainan, shërbimet moderne dhe industritë e teknologjisë së lartë, si edhe të ardhurat nga investimet e drejtpërdrejta jashtë vendit para vitit 2025 do të çlirohen nga tatimi mbi të ardhurat korporative.
Gjithashtu vendoset një kufi prej 15 për qind lidhur me taksën mbi të ardhurat personale për talentet.
Kuota për blerjet e padoganueshme jashtë vendit për person është 30 000 juanë në vit dhe pritet të rritet në 100 000 juanë në të ardhmen.
Nënkryetari i Akademisë Kineze të Shkencave Shoqërore Gao Peiyong vëren se këto zbritje taksash duhet të bazohen në kosto relativisht të ulëta operacionale:
"Vetëm kur porti i tregtisë së lirë funksionon me një kosto të ulët mund të ketë rregullime të tilla, si niveli i ulët i taksave dhe i barrës tatimore. Këto janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Gjithashtu, mund të shikoni që plani ka një kërkesë të qartë për të arritur një ekuilibër ndërmjet të ardhurave fiskale dhe shpenzimeve".
Këto 11 parqe kryesore industriale janë vetëm fillimi.
Hainan-i synon të kthehet në një port të tregtisë së lirë me ndikim global deri në mes të shekullit.