Wu Haitao: Kina dhe Spanja e përkrahin njëra-tjetrën

2020-06-05 11:53:50 CRI Komenti juaj Printoni

Në Europë Spanja është vendi i goditur më rëndë nga epidemia e COVID-19 pas Italisë. Si është gjendja e kinezëve në këtë vend dhe si do të zhvillohen marrëdhëniet kino-spanjolle pas epidemisë? Ambasadori i Kinës në Spanjë Wu Haitao u përgjigjet këtyre pyetjeve në një intervistë për CMG-në.

Ambasadori Wu vuri në dukje se, në momentin më të vështirë të luftës së Kinës kundër epidemisë, mbreti Felipe VI u shpreh se Spanja do të bëjë të gjitha përpjekjet për të bashkëpunuar me Kinën në luftën kundër epidemisë. Edhe presidenti kinez Xi Jinping i telefonoi mbretit Felipe VI për të shprehur përkrahjen e Kinës ndaj Spanjës. Qeveria kineze i ka dhënë Spanjës materiale mjekësore dhe ekspertët mjekësorë të të dy vendeve kanë ndarë me njëri-tjetrin përvojën e kontrollit e të mjekimit të sëmundjes. Më e rëndësishmja është që dy vendet përkrahin përballimin e epidemisë nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar. Wu Haitao tha:

"Kina dhe Spanja e përkrahin me vendosmëri multilateralizmin dhe rolin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Presidenti Xi Jinping ka theksuar shumë herë se virusi është armiku i përbashkët i njerëzimit dhe vetëm me bashkim mund të arrihet fitorja e kësaj lufte. Në fjalimin e mbajtur në ceremoninë e mbylljes së Asamblesë së 73-të Botërore të Shëndetësisë, kryeministri spanjoll u shpreh se sistemi shumëpalësh është e vetmja mënyrë për përballimin e epidemisë."

Në Spanjë jetojnë 240 mijë kinezë dhe, pas shpërthimit të epidemisë, ambasada kineze u ka dhënë atyre në kohë ndihmë mjekësore dhe për jetesën. Deri tani, ndër mbi 100 kinezë në Spanjë të konfirmuar si të sëmurë nga COVID-19, shumica janë shëruar.

Nëpërmjet përpjekjeve mbi dymujore, tani gjendja epidemike në Spanjë është zbutur shumë dhe rimëkëmbja ekonomike është bërë detyra më e rëndësishme pas epidemisë. Ambasada kineze e ndjek nga afër zhvillimin e gjendjes dhe i njeh në kohë kinezët në Spanjë me politikat e reja dhe rregullat përkatëse. Njëkohësisht, ambasada kineze fton ekspertë kinezë të zhvillojnë shkëmbime me kinezët në Spanjë për zhvillimet e ardhshme.

Duke folur për zhvillimin e marrëdhënieve kino-spanjolle pas epidemisë, ambasadori Wu Haitao tha se, megjithëse epidemia ka ndikuar disi në shkëmbimet miqësore midis vendeve, nuk ka ndryshuar prirja e zhvillimit të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore