2020-06-04 10:55:11 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Disa provinca dhe qytete në Kinë kanë njoftuar planet për të zgjatur fundjavën, për të nxitur konsumin pas shpërthimit të COVID-19.
Që nga muaji mars, Hebei, Zhejiang dhe Jiangxi janë ndër provincat që kanë vendosur të zbatojnë një fundjavë 2.5-ditore, e cila përfshin pasditen e së premtes dhe fundjavën normale.
Masa merret në kushtet e rënies ekonomike të shkaktuar nga shpërthimi i koronavirusit dhe synon të stimulojë konsumin e brendshëm.
Tregu i turizmit në Kinë pati një përtëritje të fortë gjatë pesë ditëve të pushimit me rastin e Ditës së Punëtorëve muajin e kaluar.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit thotë se tregu i turizmit ka arritur tashmë në 50 për qind të nivelit gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Zhang Hui, menaxhere e marrëdhënieve me publikun e kompanisë së shërbimeve të udhëtimit "Ctrip", thotë se fundjava 2.5-ditore do të forcojë turizmin afatshkurtër, pasi e shtuna është zakonisht dita e pikut për të udhëtuar:
"Nëse zbatohet fundjava 2.5-ditëshe, një gjë e tillë patjetër që do t'i nxitë njerëzit të udhëtojnë dhe mund të ndihmojë në lehtësimin e trysnisë së udhëtimit gjatë kohës së pikut, siç janë pushimet me rastin e Ditës së Punëtorëve dhe Festës së Pranverës."
Zgjatja e fundjavës është mirëpritur gjithashtu nga shumë punonjës. Një prej tyre shprehet:
"Nëse kam dy ditë e gjysmë fundjavë, mund të kem më shumë kohë të rri me familjen time".
Ndërsa një tjetër thekson:
"Nëse do të udhëtosh brenda një deri dy ditësh, koha është shumë e shkurtër. Do të ishte mirë të niseshim gjysmë dite më parë."
Analistja e çështjeve të biznesit Wang Ping thotë se masa është vullnetare dhe kompanitë kanë të drejtë të vendosin se si ta zbatojnë atë:
"Politika e fundjavës 2.5-ditore është për organet e pushtetit vendor dhe ndërmarrjet që i kanë mundësitë për ta bërë këtë. Nuk është e detyrueshme në shkallë vendi. Me sa kuptoj unë, kompanitë mund të zgjedhin nëse duan ta zbatojnë atë."
Provinca Zhejiang mbështet institucionet publike dhe organizatat shoqërore që të kenë një fundjavë 2.5-ditore.
Provinca Jiangxi e ka zbatuar këtë masë vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti.
Megjithatë, java e punës prej 40 orësh ende është në fuqi, që do të thotë se punonjësit që marrin një fundjavë 2.5-ditore, duhet t'i zëvendësojnë orët e punës gjatë ditëve të javës.
Politika mbarëkombëtare e fundjavës dyditore u zbatua për herë të parë në Kinë në vitin 1995.