2020-06-03 21:33:38 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
"Nuk kam parë asnjëherë një pamje të tillë!" komentoi një drejtues i CNN-it gjatë transmetimit të drejtpërdrejt ditët e fundit për protestat në ShBA. Ai pa nga afër arrestimin e një kolegu të tij ameriko-latin.
Gjithashtu gjatë raportimit për protestat në mbarë vendin, një gazetare amerikane pothuajse humbi shikimin pasi një plumb gome nga policia e qëlloi në syrin e saj të majtë.
Në këtë valë të ashpër të protestave masive, gjithnjë e më shumë gazetarë janë bërë pre e dhunës së ashpër nga policët. Në ShBA, superfuqia botërore që predikon lirinë e fjalës, gazetarët janë shndërruar në objektet e zbatimit të ligjit me dhunë.
Këtu nuk përjashtohen as gazetarët e huaj. Njoftohet se gazetarët australianë e rusë u goditën nga plumbat e gomës ose gazi lotsjellës.
Keqtrajtimi i gazetarëve me dhunë nga qeveria amerikane ka zemëruar shumë banorë të botës.
Dan Shelley, kryeekzekutivi i Shoqatës së Gazetarisë Digjitale Radiotelevizive tha se pengimi i dëshmimit dhe i regjistrimit të ngjarjeve që po ndodhin është jo vetëm dëmtim i gazetarëve, por edhe i publikut.
Edhe zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Stephane Dujarric theksoi se kur gazetarët bëhen objekte sulmi, paguan e gjithë shoqëria.
Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë deklaroi se shkelja e të drejtave të ligjshme të gazetarëve është "e papranueshme".
Ndërkohë, edhe kryeministri i Australisë Scott Morrison kërkoi hetimin e ngjarjeve dhe u shpreh i gatshëm të ngrejë zyrtarisht akuzë.
Ditët e fundit, udhëheqësi i ShBA-së ra në mosmarrëveshje me platformën sociale "Twitter" dhe nënshkroi një urdhër ekzekutiv për kufizimin e rrjetit social. Kjo goditje e hapur kundër shtypit duke ushtruar kompentencat administrative është dënuar gjerësisht.
Gjatë protestave të tanishme masive në mbarë ShBA-në, ligjzbatuesit amerikan i kanë trajtuar gazetarët në mënyrë të pamëshirshme. Veprimet e tyre demaskojnë hipokrizinë e ShBA-së për të ashtuquajturën "liria e fjalës" dhe gjithashtu orvajtjet e politikanëve amerikanë për të mbuluar të të vërtetën, komentoi Grupi Mediatik i Kinës.