2020-06-02 10:38:35 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Rrjeti i shërbimeve hekurudhore Kinë-Evropë ka mbetur një kanal i besueshëm për transportimin e furnizimeve shumë të nevojshme gjatë pandemisë së COVID-19.
Një tren që transporton 100 kontejnerë me furnizime mjekësore dhe mallra të përdorimit të përditshëm është nisur nga Yiwu në provincën Zhejiang drejt kryeqytetit të Spanjës Madrid.
Ai është treni i 200-të i mallrave Kinë-Evropë që është nisur nga qyteti lindor kinez sivjet.
Trenat kanë transportuar një sasi të madhe kontejnerësh nga qyteti Yiwu, qendra e mallrave të vogla e Kinës, për në Evropë, me një rritje 72 për qind në pesë muajt e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo pason rritjen e ndjeshme që ka pasur transporti hekurudhor për shkak të kufizimeve në transportin ajror dhe detar gjatë pandemisë së COVID-19.
Liu Rui, profesor në Universitetin "Renmin" të Kinës, thotë se shërbimi hekurudhor ka ndihmuar në stabilizimin e zinxhirëve të furnizimit në Evropë:
"Krahasuar me transportin ajror dhe atë detar, transporti hekurudhor ka një kapacitet më të madh dhe kostoja e tij është shumë më e ulët. Ai është një pjesë shumë e rëndësishme e luftës aktuale globale kundër pandemisë."
Shërbimi hekurudhor Kinë-Evropë, që ka filluar në vitin 2011, shihet si një pjesë e rëndësishme e "Një brez, një rrugë", pasi ndihmon për të forcuar tregtinë midis Kinës dhe vendeve që marrin pjesë në këtë nismë.
Projekti synon të nxisë marrëdhëniet tregtare midis Kinës me vendet përgjatë kësaj rruge.
Për të përshpejtuar transportin e mallrave, autoritetet doganore në Kinë kanë thjeshtuar procedurat e zhdoganimit për ndërmarrjet.
Yao Hong nga Administrata Doganore e Kinës thotë se ata i janë përkushtuar mbështetjes së transportit hekurudhor të mallrave:
"Masat për të mbështetur zhvillimin e trenave të mallrave Kinë-Evropë janë lidhur ngushtë me ndërmarrjet, duke u dhënë mundësi atyre të kryejnë zhdoganimin në më pak minuta, që të shtohen përfitimet e tyre."
Shërbimi hekurudhor Kinë-Evropë pritet t'i japë impuls të ri ekonomisë botërore në periudhën pas pandemisë.
Ministria e Tregtisë e Kinës ka nxjerrë gjithashtu një qarkore që nxit përdorimin më të mirë të trenave të mallrave për të promovuar tregtinë dhe konsumin midis Kinës dhe vendeve evropiane.