Ambasadori kinez në ShBA, artikull për vendimin e AKP-së për legjislacionin e ri

2020-05-31 19:26:27 CRI Komenti juaj Printoni

 

Ambasadori kinez në ShBA Cui Tiankai ka shkruar një artikull mbi vendimin e Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) të Kinës për krijimin dhe përmirësimin e një sistemi ligjor dhe mekanizmave të zbatimit për ruajtjen e sigurisë kombëtare në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut. Artikulli u botua në "Bloomberg Opinion" më 30 maj. Më poshtë është teksti i plotë:

Unë jam një tifoz i madh i Hong Kong-ut. Qyteti paraqet një kontrast të veçantë midis pasurisë historike dhe modernizmit plot jetë. Është një ndërthurje romantike midis Lindjes dhe Perëndimit.

Por për fat të keq, kjo romancë po avullon. Në muajt e fundit, kemi parë skena të tmerrshme atje. Turmat sulmuan policinë me shigjeta, tulla dhe bomba "molotov". Ata ndaluan pasagjerët në aeroport dhe madje vunë zjarr ndaj një të moshuari të pafajshëm. Ndërtesat qeveritare u sulmuan dhe u vandalizuan. Dyqanet u mbyllën dhe rrugët u shkatërruan nga zjarrvëniet.

Duke përfituar nga mungesa e një ligji të sigurisë kombëtare në Hong-Kong, protestuesit kanë nxitur dhunë për një kohë të gjatë dhe u grumbulluan për të ashtuquajturën "pavarësi" të Hong-Kongut, duke shkelur vijën fundore të qeverisë qendrore. Në të njëjtën kohë, forcat e jashtme kanë ndërhyrë më shumë në punët e Hong-Kongut, prandaj ky rajon sot është në kaos dhe siguria kombëtare e Kinës është në rrezik.

Kjo është arsyeja pse qeveria qendrore zgjodhi të veprojë. Sipas Nenit 23 të Ligjit Themeltar të Rajonit Administrativ të Posaçëm të Hong Kongut është i autorizuar të nxjerrë vetë ligje për të mbrojtur sigurinë kombëtare. Por ligje të tilla janë vonuar për 23 vite, që nga rikthimi i Hong-Kongut në atdhe, sepse kundërshtarët kanë bërë çmos për t'I penguar.

Kjo gjendje ka detyruar Asamblenë Kombëtare Popullore të Kinës që të miratojë legjislacionin. Legjislatura e 13-të e AKP-së vendosi të krijojë dhe përmirësojë një kornizë ligjore dhe mekanizma zbatimi për ruajtjen e sigurisë në Hong-Kong, dhe Komiteti i Përhershëm i saj do të bëjë punën e hartimit.

Foto arkivi, Ambasadori kinez në ShBA Cui Tiankai

Ky vendim fitoi mbështetje të gjerë nga populli kinez, përfshirë bashkatdhetarët hongkongas, shumë prej të cilëve besojnë se kjo gjë duhet të ishte realizuar shumë më parë.

Disa individë dyshojnë legjimitetin e këtij veprimi të Kinës. Në të gjitha shtetet, qofshi këto shtete me një sistem unitar qeverisjeje apo shtete federale, vetëm qeveria qendrore ka autoritetin legjislativ për të vendosur çështje që lidhen me sigurinë kombëtare. Në mënyrë të ngjashme, qeveria qendrore e Kinës ka përgjegjësinë kryesore dhe vendimtare për të ruajtur sigurinë kombëtare dhe Asambleja Kombëtare Popullore është organi më i lartë ligjvënës i Kinës.

Disa të tjerë shqetësohen se legjislacioni do të ndikojë politikën "Një vend, dy sisteme" falë së cilës Hong-Kongut i garantohet një shkallë e lartë e autonomisë. Në fakt, legjislacioni i ri do t'i sigurojë stabilitetin e munguar Hong-Kongut dhe ky rajon do të zhvillohet dhe mbrothësohet më tej.

Vendimi i AKP-së e bën të qartë se parimet "Një vend, dy sisteme", "Hong-Kongu qeveriset nga hongkongasit" dhe një shkallë e lartë e autonomisë do të respektohen plotësisht dhe besnikërisht. Siguria kombëtare është në zemër të parimit "Një vend, dy sisteme", pikat e forta të të cilit mund të maksimizohen vetëm në një shoqëri të sigurt dhe të qëndrueshme. Problemet themelore ekonomike dhe shoqërore të rajonit të Hong-Kongut nuk mund të zgjidhen duke prishur rendin shoqëror, dhe as nuk mund të ketë zhvillim dhe begati afatgjatë nëse minohet siguria kombëtare.

Shumë amerikanë që jetojnë dhe punojnë në Hong-Kong do të pyesin se çfarë ndikimesh do të ketë legjislacioni i ri tek ata. Përgjigja është se do të sigurojë një mjedis më të sigurt. Legjislacioni synon vetëm veprimet që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Kinës, të tilla si lëvizjet separatiste, shkatërrimi, veprimet terroriste dhe ndërhyrja e jashtme në punët e Hong-Kongut. Individët që që nuk kanë asnjë lidhje me këto nuk duhet të shqetësohen.

Në fakt, legjislacioni do të mbrojë qytetarët që zbatojnë ligjin, do të sigurojë shkallën e lartë të autonomisë së Hong-Kongut dhe do të ofrojë një mjedis të shëndetshëm ligjor dhe tregtar në rajon. Një Hong-Kong i qëndrueshëm dhe i begatë do të sjellë më shumë shanse për banorët e tij dhe investitorët.

Ashtu si një pemë që nuk mund të lulëzojë pa rrënjë, legjislacioni i sigurisë kombëtare për Hong-Kongun do të hedhë bazat për politikën e "Një vend, dy sisteme" dhe stabilitetit dhe zhvillimit afatgjatë të Hong-Kongut. Me të, Hong-Kongu do të jetë përsëri ai qyteti i gjallë dhe romantik që e duam të gjithë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore