Bota kritikon tërheqjen e ShBA-së nga OBSh-ja

2020-05-31 18:13:29 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti i ShBA-së Donald Trump shpalli më 29 maj se SHBA-ja do të ndërpresë marrëdhëniet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh) dhe fondet që shkonin për këtë organizatë do t'u shkojnë vendeve të tjera për të plotësuar kërkesat e emergjencave të shëndetit publik. Ky vendim është kritikuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit Abbas Mousavi shkroi në Twitter se, "Pasi zhgënjeu popullin (amerikan), ky regjim i papërgjegjshëm ka qenë në kërkim të një dashi për kurban për të fshehur dështimin e tij. Por lojërat e fajësimit nuk e kanë dhe nuk do ta mashtrojnë botën".

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova tha se përfundimi i marrëdhënieve të ShBA-së me OBSh-në shkel parimet themelore të ligjit ndërkombëtar në bashkëpunimin shëndetësor botëror.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i kërkoi SHBA-së të rishikojë vendimin për tërheqjen nga OBSh-ja.

"Bashkëpunimi dhe solidariteti botëror përmes përpjekjeve shumëpalëshe janë e vetmja mënyrë efektive dhe e zbatueshme për të fituar këtë betejë me të cilën po përballet bota", tha ajo së bashku me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell në deklaratën e përbashkët më 30 maj.

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn tha se tërheqja e ShBA-së nga OBSh-ja është "zhgënjyese" dhe një frenim për shëndetin global.

Ai nënvizoi gjithashtu se BE-ja duhet të luajë një rol të rëndësishëm dhe të shtojë investimet që do të jetë një nga përparësitë e Gjermanisë pas marrjes së kryesisë së radhës së BE-së më 1 korrik.

Zëdhënësi i Ministrisë britanike të Shëndetësisë tha po më 30 maj se lufta kundër koronavirusit të tipit të ri është një sfidë globale dhe OBSh-ja luan rol të rëndësishëm në fushën e drejtimit të botës kundër pandemisë. Ai theksoi se Britania nuk do të tërhiqet nga OBSh-ja. (Çang Çuo/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore