Kodi Civil do të ketë rëndësi për nxitjen e mëtejshme të Reformës e Hapjes të Kinës

2020-05-30 11:22:53 CRI Komenti juaj Printoni

Në sesionin e tretë të Asamblesë së 13-të Kombëtare Popullore, organi më i lartë ligjvënës i Kinës, u miratua Kodi Civil, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar në vitin 2021. Ky kod përfshin shumë të drejta civile, si të drejtat e personalitetit, të martesës dhe familjes, të trashëgimisë etj. Shumë ekspertë e analistë të huaj u shprehën se me këtë kod, mbrojtja e të drejtave civile të 1.4 miliardë kinezëve do të hyjë në epokën e re dhe do të ketë rëndësi të madhe për nxitjen e mëtejshme të Reformës dhe të Hapjes në Kinë dhe për integrimin e Kinës në botë.

Kodi Civil ka shtatë pjesë dhe 1260 nene, duke qenë kështu ligji me numrin më të madh të neneve në Kinë. Ish-ministri i Drejtësisë i Italisë, dekani i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit "La Sapienza" të Romës Oliviero Diliberto, mendon se vendi me popullsi më të madh në botë ka kodin e vet civil, gjë që tregon largpamësinë e mençurinë e Kinës. Pedagogu i Shkollës së Drejtësisë të Universitetit të Ekonomisë dhe të Ligjit Zhongnan të Kinës dhe kryetari i Shoqatës së Studiuesve Italianë në Kinë Ivan Cardillo mendon se me Kodin Civil Kina fitoi njohjen e respektin e familjes globale të ligjit, gjë që tregon pjekurinë e legjislacionit modern në Kinë.

Përpilimi i pavarur i të drejtave të personalitetit vlerësohet si një pikë e spikatur dhe risi e madhe në Kodin Civil të Kinës. Në pjesën "Të drejtat e personalitetit" të Kodit Civil, sqarohet përkufizimi i "privatësisë", përmirësohet mbrojtja e të drejtave të portretit, përcaktohen rregullat themelore të dhurimit të organeve dhe forcohet mbrojtja e të dhënave personale. Komentuesi gjerman Nils Bergemann vuri në dukje se "Të drejtat e personalitetit" të Kodit Civil tregojnë se dinjiteti, privatësia dhe të drejtat e të dhënat personale do të mbrohen më qartë e më mirë, duke pasqyruar karakterin e Kodit Civil, që është afër jetës, afër njerëzve, afër realitetit.

Kodi Civil i Kinës përmirëson sistemin e të drejtave të pronësisë dhe forcon mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Për shembull, është e qartë se "të drejtat pronësore të shtetit, kolektivave e individëve dhe të drejtat e mbajtësve të të drejtave të tjera mbrohen në mënyrë të barabartë me ligj, dhe asnjë organizatë a individ nuk mund t'i shkelë". Edhe prona virtuale është përfshirë në fushën e mbrojtjes së pronës. Në një njoftim, "Reuters" tha: "Ky kod civil pasqyron shqetësimet afatgjata të pronarëve të bizneseve për mbrojtjen e të drejtave civile e pronësore dhe do të sigurojë mbrojtje më gjithëpërfshirëse për të dhënat e qytetarëve."

Shumë të huaj besojnë se ky kod civil jo vetëm lidhet me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror brenda Kinës, por edhe do të ketë një rëndësi të madhe për promovimin e vazhdueshëm të Reformës e Hapjes në Kinë dhe integrimin e thellë të Kinës me botën. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore