Kina miraton Kodin Civil të parë të vendit

2020-05-29 09:54:35 CRI Komenti juaj Printoni

Ligjvënësit kinezë kanë votuar për të miratuar Kodin Civil të parë të vendit, i cili pritet të përmirësojë aftësinë qeverisëse të Kinës në shoqërinë moderne.

Kodi, i njohur si një enciklopedi e të drejtave të qytetarëve kinezë në jetën shoqërore, përbëhet nga 1 260 nene.

Ai është një kodifikim i ligjeve për çështjet civile që do të ndikojë ngushtë në jetën e përditshme të njerëzve. Kodi gjithashtu mbulon kontratat, pronën, martesën dhe dëmet.

Deputeti i Asamblesë Kombëtare Popullore Wang Junfeng thotë se kodi është një simbol i përparimit të Kinës në përmirësimin e sistemit të vet ligjor gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar:

"Shpallja e Kodit Civil shënon pjekurinë e sundimit të ligjit në vendin tonë dhe tregon se zhvillimi i sundimit të ligjit ka arritur në një fazë të re, duke qenë mishërim i një sistemi ligjor gjithëpërfshirës."

Sidoqoftë, miratimi i legjislacionit nuk ishte i lehtë. Që nga viti 1949 janë bërë katër përpjekje, ndërsa legjislacioni i tanishëm u propozua në vitin 2014.

Një nga pikat kryesore të Kodit Civil është se ai ka një pjesë të veçantë kushtuar të drejtave të personalitetit, që përfshin mbrojtjen e të drejtave të privatësisë të individëve.

Kodi përfshin edhe dispozita për të drejtat e individit për jetën, trupin, shëndetin, emrin, portretin, reputacionin etj.

Wang Junfeng thotë se ky është një tipar unik:

"Është e vështirë të gjesh ndonjë vend tjetër që ka një kod civil që trajton posaçërisht të drejtat e personalitetit. Një veprim i tillë tregon mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendin tonë, dhe është gjithashtu një element shtesë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që ka arritur një nivel të ri. "

Legjislacioni i ri parashikon gjithashtu një mbrojtje më të mirë të grupeve më të pambrojtura, duke përfshirë të miturit dhe gratë e divorcuara.

Deputetja e AKP-së Chen Haiyi thotë se kodi mishëron respektimin e së drejtës së jetës:

"Gjatë hartimit të rregulloreve të Kodit Civil, ligjvënësit kanë marrë parasysh plotësisht të drejtat e grupeve të pambrojtura. Një shembull është përkufizimi i së drejtës së qëndrimit për gratë dhe fëmijët në rastet e divorcit. Kodi gjithashtu përcakton se një i rritur duhet të jetë mbi 40 vjeç para se të birësojë një fëmijë të gjinisë së kundërt."

Dispozitat e tjera që kanë tërhequr vëmendjen dhe interesin më të madh nga publiku në Kinë, përfshijnë përgjegjësinë për dëmtimin e shkaktuar nga objektet që bien nga ndërtesat, dhe periudhën e qetësimit për çiftet që kërkojnë divorc, duke i lejuar njërit prej bashkëshortëve të tërheqë kërkesën brenda tridhjetë ditëve nga paraqitja.

Kodi Civil do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Mrekulli
Lajmet Kryesore