2020-05-27 17:34:24 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në orën 11 të së mërkurës, 8 alpinistë kinezë u ngjitën me sukses në majën më të lartë të botës, Xhomolangma, për rilevim dhe mblodhën të dhëna meteorologjike.
Në majën më të lartë të Botës, valëvitet flamuri i kuq me pesë yje
Alpinistët qendruan për 150 minuta në kulmin e majës, duke shënuar rekord për kohën e qëndrimit atje.
Kjo është hera e parë gjatë 15 vjetëve, që maja kryesore e vargmalit të Himalajeve priti grupin kinez të rilevimit. Kësaj here, alpinistët kinezë instaluan antenën e sistemit të pozicionimit global satelitor Beidou (GNSS), për të matur më saktësisht lartësinë e majës.
Maja Xhomolangma ndodhet në brezin e përplasjes midis pllakës kontinentale indiane dhe asaj evroaziatike, ku janë aktive lëvizjet tektonike të Tokës.
"Rilevimi i saktë i lartësisë së majës Xhomolangma do të jetë në ndihmë të analizës së ndryshimit të lartësisë së vargut Himalaja dhe të rrafshnaltës Qinghai-Tibet," tha Gao Dengyi, studiuesi i Institutit të Kërkimeve të Fizikës Atmosferike pranë Akademisë së Shkencave të Kinës.
"Çdo ndryshim i dukshëm i majës Xhomolangma ka rëndësi treguese për kërkimet gjeoshkencore e ekologjike të globit dhe ushtron ndikim për jetën e veprimtarinë prodhuese të njerëzve," tha Chen Gang, zv/kryeinxhinieri i grupit të parë të rilevimit pranë Ministrisë së Burimeve Natyrore, në kampin bazë në majën Xhomolangma.
Të dhënat e rilevimit të lartësisë së majës Xhomolangma do të publikohen pas 2 deri 3 muajve në bazë të llogaritjes, analizës dhe verifikimit të saktë. (Wang Lei)