Hapet sesioni vjetor i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës

2020-05-22 11:38:25 CRI Komenti juaj Printoni

Të premten u hap në Pekin sesioni vjetor i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës. Për shkak të ndikimit të epidemisë së COVID-19, kjo është hera e parë gjatë 22 vjetëve që zhvillimi i sesionit të AKP-së shtyhet, për t'u zhvilluar në maj. Në ceremoninë e hapjes së sesionit, të gjithë pjesëmarrësit mbajtën zi për dëshmorët dhe viktimat që kanë humbur jetën nga epidemia.

Kryeministri kinez Li Keqiang mbajti raportin e punës së qeverisë gjatë vitit të kaluar. Në këtë dokument vihet në dukje se në vitin 2019, duke përballuar shumë sfida e vështirësi, Kina i përmbushi objektivat kryesorë vjetorë. Ekonomia ka ruajtur funksionimin e qëndrueshëm dhe jetesa e popullit është përmirësuar më tej, duke hedhur bazën vendimtare për arritjen e shoqërisë së mirëqenies.

Në raport vërehet se në vitin 2019, GDP-ja e Kinës u rrit 6.1 %, duke arritur 99.1 trilionë juanë. Vendet e reja të punës në qytete arritën në 13 milionë e 520 mijë, numri i të varfërve në fshat u pakësua me 11 milionë e 90 mijë, ndërsa të ardhurat mesatare vjetore për frymë të banorëve i kaluan 30 mijë juanët.

Kryeministri Li Keqiang u shpreh se sivjet qeveria kineze do të ruajë punësimin e qëndrueshëm për të siguruar jetesën e popullit, dhe do të arrijë me vendosmëri fitoren e betejës kundër varfërisë, për të realizuar objektivin e krijimit të gjithanshëm të shoqërisë së mirëqenies. Këtë vit numri i të punësuarve në qytete do të rritet me më shumë se 9 milionë dhe përqindja e papunësisë urbane do të kontrollohet në nivelin rreth 6 . Për shkak të epidemisë dhe të gjendjes së paqartë ekonomiko-tregtare globale, zhvillimi i Kinës përballet me shumë faktorë të paqartë, prandaj qeveria kineze nuk shpalli objektivin e rritjes ekonomike për vitin 2020.

Kryeministri Li u shpreh gjithashtu se Kina do të vazhdojë të zbatojë politikën aktive financiare dhe politikën e qëndrueshme monetare. Deficiti fiskal do të shtohet me 1 trilion juanë në krahasim me vitin e kaluar dhe qeveria do të nxjerrë bono të jashtëzakonshme shtetërore me vlerë po prej 1 trilion juanësh.

Sipas raportit, këtë vit Kina do të vazhdojë të pakësojë taksat, për të ndihmuar zhvillimin e bizneseve, veçanërisht të ndërmarrjeve të mesme e të vogla e të kompanive private. Parashikohet se në tërë vitin taksat do të ulen në shifrën më se 2.5 trilionë juanë. Njëkohësisht do të nxitet pakësimi i kostos së funksionimit të ndërmarrjeve dhe do të forcohet përkrahja financiare ndaj tyre.

Në raportin e punës u theksua edhe përmirësimi i mjedisit të zhvillimit të ekonomisë private, për të siguruar zhvillimin e shëndetshëm të ekonomisë joshtetërore.

Li Keqiang-u shtoi se Kina mbron me vendosmëri sistemin e tregtisë shumëpalëshe dhe merr pjesë aktivisht në reformën e Organizatës Botërore të Tregtisë, do të nxitë nënshkrimin e marrëveshjeve të partneritetit tregtar rajonal dhe bisedimet për tregtinë e lirë me Japoninë e Korenë e Jugut, dhe do të realizojë zbatimin e përbashkët të marrëveshjes ekonomiko-tregtare me ShBA-në. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore