2020-05-22 21:31:38 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në Raportin e Punës së Qeverisë 2020, të paraqitur për diskutim të premten në Asamblenë Kombëtare Popullore, organi më i lartë i pushtetit shtetëror në Kinë, nuk u përcaktua një objektiv i veçantë i rritjes ekonomike për këtë vit, por u theksua se do të vihen në plan të parë garantimi i punësimit, i jetesës së popullit, fitorja në luftën për zhdukjen e varfërisë dhe realizmi i gjithanshëm i shoqërisë relativisht të begatë.
Pse qeveria kineze nuk përcaktoi objektivin e rritjes ekonomike në raportin e punës së këtij viti?
Grupi Mediatik i Kinës (CMG) komentoi se kjo mishëron respektimin e rregullave ekonomike. Tani pandemia e COVID-19 është përhapur në mbarë botën dhe ekonomia botërore ka hyrë në një recesion agresiv. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi në prill se ekonomia botërore do të tkurret 3% këtë vit dhe do të futet në recesionin ekonomik më të rëndë pas Depresionit të Madh në vitet '30 të shekullit të kaluar. Ashtu siç vihet në dukje në Raport, për shkak të shumë paqartësive në gjendjen pandemike dhe në ekonominë botërore, Kina ndodhet përpara shumë faktorëve të paparashikueshëm. Në këtë sfond, mosvendosja e objektivit të rritjes ekonomike për këtë vit mishëron shpirtin pragmatik të qeverisë kineze dhe në këtë mënyrë, populli kinez do të mund të përqendrojë të gjitha vëmendjet në kryerjen e detyrave të sivjetshme.
Zhvillimi i ekonomisë kineze ka një kompleks objektivash dhe objektivi për zhvillimin ekonomik të sivjetshëm në fakt është integrimi në treguesit e tjerë përkatës, përfshirë politikat financiare dhe monetare, komentoi CMG-ja.
Njëkohësisht, në raportin e sivjetshëm të punës së qeverisë u tha se këtë vit, numri i të punësuarve në qytete do të rritet me mbi 9 milionë, rritja e CPI-së (Treguesi i Çmimeve të Konsumit) do të mbahet rreth 3.5% dhe të gjithë banorët e varfër të zonave rurale sipas standardit ekzistues do të dalin nga varfëria. Kjo mishëron plotësisht idenë e partisë kineze në fuqi për zhvillimin "me popullin në qendër", komentoi CMG-ja.
Gazetën australiane "The Australian Financial Review" komentoi se qeveria kineze nuk ndjek traditën e vendosjes së objektivit të rritjes ekonomike, por vendos si përparësi punësimin dhe jetesën e banorëve. (Wang Lei/Albana)