"The Lancet": Trump-i duhet t'i rikthejë kompetencat Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve

2020-05-17 12:43:12 CRI Komenti juaj Printoni

Revista e njohur mjekësore "The Lancet" publikoi ditët e fundit komentin me titull "T'i rikthehen kompetencat Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve të ShBA-së".

Në fillim të artikullit shpjegohet situata e tanishme e parandalimit të epidemisë në ShBA: Deri më 12 maj, në ShBA ka pasur të paktën 1.3 milionë të infektuar me koronavirusin e ri dhe 80 684 të vdekur. Politikat dhe rezultatet e parandalimit në shtete të ndryshme amerikane janë të ndryshme. Në shtetet e Nju-Jorkut dhe Nju-Xhersit, për arsye të qëndrimit në shtëpi për dy muaj, përqindja e infektimeve dhe e vdekjeve po ulet. Në shtetin e Minesotës janë lehtësuar masat e kontrollit në mesin e majit, gjë që ka shkaktuar rritjen e numrit të të infektuarve. Ndërsa në shtetin e Ajovës nuk ka masa të mbrojtjes dhe të kontrollit. Këto tregojnë se në masat kundër epidemisë në shtete të ndryshme amerikane mungojnë lidhja dhe vijimësia.

Në artikull thuhet se Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të Sëmundjeve e ShBA-së (CDC) është institucioni kryesor në fushën e shëndetit publik, por në procesin e parandalimit të epidemisë, roli i luajtur prej tij po zvogëlohet dhe tani ai vetëm ka rol këshillues. Qendra, që u krijua në vitin 1946, ka një histori të lavdishme dhe ka qenë shtylla e shëndetit public në ShBA. Këtu janë përgatitur shumë specialistë të epidemiologjisë. Por politikanët konservatorë amerikanë e kanë pakësuar gradualisht buxhetin për Qendrën. Administrata e Trump-it e ka dobësuar më tej aftësinë e Qendrës për të përballuar epidemitë. Në korrikun e vitit 2019, Qendra i tërhoqi punonjësit e vet në Kinë. Më 22 prill, drejtori i Qendrës Robert Redfield nuk shprehu mendim të njëjtë me presidentin amerikan Donald Trump në një konferencë shtypi mbi epideminë e koronavirusit, dhe më pas Redfield nuk mori asnjë ftesë për të marrë pjesë në konferencat e shtypit. Ditët e fundit, administrata e Trump-it ka vënë në dyshim këshillat e parandalimit të epidemisë të dhëna nga Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të Sëmundjeve.

Sipas artikullit, dobësimi nga administrata e Trump-it e CDC-së do të kërcënojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën shkencore dhe të shëndetit publik. Artikulli thekson se jo vetëm për ShBA-në, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, një qendër e fortë e kontrollit të sëmundjeve do të jetë në favor të përballimit të epidemive dhe të parandalimit të tyre në të ardhmen.

Në fund të artikullit paralajmërohet se në janarin e vitit 2021, presidenti i ri amerikan do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë dhe ai duhet ta kuptojë se fusha e shëndetit publik nuk duhet të ndikohet nga politika e partive. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore