2020-05-15 10:25:38 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Shkollat në Kinë po bëjnë përpjekje për të siguruar një rihapje të sigurt, pasi autoritetet e arsimit njoftuan datat e rikthimit të nxënësve në mësim.
Shkollat po praktikojnë masa të rrepta parandalimi, të tilla si distancimi shoqëror, dezinfektimi i konvikteve dhe kontrollet ditore të temperaturës, pasi më shumë nxënës do të kthehen në konviktet e shkollave të Pekinit nga 1 qershori.
Tang Bubin, drejtori i Shkollës së Mesme të Fengtait, e atashuar me Universitetin Renmin, thotë se ata kanë marrë një sërë masash për të mbrojtur nxënësit në konvikt:
"Dhomat e konvikteve që mbanin gjashtë nxënës, tani janë kufizuar për të mbajtur vetëm tre. Nxënësit gjithashtu do të bëjnë dushe në grupe të caktuara me radhë."
Drejtori ekzekutiv i Konviktit "Kefeng" të Shkollës së Mesme Nr. 12 të Grupit të Edukimit të Pekinit, Shi Weidong, thotë se shkolla ka ulur përmasat e klasave:
"Ne i kemi ndarë 14 klasat e vitit të fundit të ciklit të ulët në 28 klasa dhe u kemi kërkuar mësuesve nga klasat e tjera të ndihmojnë në detyrat mësimore."
Edhe oborret e shkollave janë riorganizuar dhe nxënësit duhet të respektojnë shenjat e vëna.
Një nxënëse e sapokthyer e Shkollës së Mesme Nr. 12 të Pekinit, thotë se ndihet e sigurt në konvikt me të gjitha këto masa të zbatuara:
"Kur kaluam portën e shkollës, u udhëzuam nga mësuesit të ecnim përgjatë rrugëve të përcaktuara. Ndihem e qetë dhe mund të përqëndrohem plotësisht në mësim."
Autoritetet bashkiake të arsimit kanë njoftuar se universitetet, kopshtet dhe më shumë klasa në shkollat fillore dhe të mesme gradualisht do të rihapen.
Nga 6 qershori, studentët e kolegjeve dhe universiteteve mund të kthehen, kurse kopshtet e fëmijëve do të rihapen nga 8 qershori.
Zëdhënësi i Bashkisë së Pekinit Xu Hejian flet për përgjegjësitë e shkollave dhe autoriteteve vendore për të siguruar shëndetin e nxënësve e studentëve dhe stafit mësimor:
"Çdo distrikt dhe çdo shkollë duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e vet. Planet e parandalimit ndryshojnë nga një shkollë në tjetrën dhe përcaktohen nga kushtet konkrete të secilës shkollë. Çdo klasë duhet të vëzhgohet nga afër dhe të menaxhohet siç duhet, për të siguruar shëndetin e nxënësve dhe mësuesve."
Të dhënat zyrtare tregojnë se mbi 100 milionë nxënës janë rikthyer tashmë në konvikte në mbarë vendin, duke përbërë 40 për qind të numrit të përgjithshëm.
Vlerësohet se numri do të dyfishohet deri në fund të muajit, pasi më shumë nxënës do të rifillojnë mësimin.
Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se shkollat gjithashtu duhet të punojnë me autoritetet shëndetësore dhe institucionet mjekësore në lagjet e tyre për të zvogëluar rreziqet.