2020-05-14 21:22:11 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Festivali i kohëve të fundit i blerjeve në internet i Kinës, një nismë e disa departamenteve qeveritare, regjistroi shitje 182.51 miliardë juanë (rreth 25.72 miliardë dollarë amerikanë), njoftoi të enjten një zyrtar i Ministrisë së Tregtisë.
Festivali ishte pjesë e përpjekjeve të vendit për të rritur konsumin e brendshëm dhe për të ulur ndikimin e epidemisë që koronavirusi pati në ekonominë kineze, e cila u tkurr 6.8 për qind në tremujorin e parë të këtij viti.
Në këtë festival, i dyti në llojin e tij, morën pjesë mbi 1 milion dyqane online dhe 115 kompani të tregtisë elektrike, duke shitur një larmi të madhe të mallrave me cilësi, që nga produktet bujqësore e deri te pajisjet elektronike, tha zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë Gao Feng në një konferencë të rregullt shtypi.
Falë kësaj veprimtarie, shitjet me pakicë në internet u rritën 20.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tha Gao.
Kina po nxit konsumin e brendshëm për të rimëkëmbur ekonominë, pasi pandemia e zgjatur e koronavirusit ka shterruar kërkesat në të gjithë botën.
Fushata e blerjeve virtuale zgjati nga 28 prilli deri më 10 maj dhe u mundësua nga Ministria e Tregtisë, Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, Zyra e Postës Shtetërore dhe Shoqata e Konsumatorëve të Kinës. (Albana)