2020-05-11 21:16:54 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Agjencitë e udhëtimit dhe hotelet në Kinë po përdorin ide të reja marketingu për t'i mbijetuar ciklonit që shkaktoi pandemia COVID-19 ndaj këtij sektori.
Vëzhguesit e industrisë thanë se pjesëmarrësit në industrinë e turizmit që kanë vuajtur gjatë krizës së koronavirusit po detyrohen të zhvendosin strategjitë e tyre të tregut dhe të riprojektojnë produktet e tyre për t'u përshtatur me normalen e re.
Hotelet janë ndër bizneset më të goditura të këtij sektori dhe disa prej tyre po përpiqen të rikuperojnë humbjet duke ofruar çmime më të favorshme për të tërhequr klientë.
Bian Jinfeng është menaxheri i Hotelit Shan Shui buzë liqenit Yanqi në Pekin. Ai tha se gjatë festës së Ditës së Punëtorëve javën e kaluar pati një rritje të numrit të klientëve.
"Ne ofruam zbritje të ndryshme në internet, për shembull ofruam disa dhoma standard me çmim 328 juanë për një natë, që është 150 juanë më pak se çmimi i mëparshëm. Biznesi pati rritje gjatë festës së Ditës së Majit dhe shumica e prenotimeve erdhën nga takimet në shkallë të gjerë dhe veprimtaritë e korporatave."
Tregu i turizmit në Kinë është rikthyer në 50 për qind të nivelit të të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kinë udhëtuan mbi 100 milionë turistë vendas gjatë festës së Ditës së Punëtorëve, duke gjeneruar mbi 47 miliardë juanë ose 6.7 miliardë dollarë amerikanë të ardhura.
Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë së Udhëtimit në internet Trip.com Jane Liang tha se veprimtaria gjatë pushimeve ka ndihmuar në shtimin e besimit të biznesit, por rritja afatgjatë do të përcaktohet përfundimisht nga aftësia e një vendi për të kontrolluar virusin.
"Ne duhet të sigurohemi që tregu i brendshëm i udhëtimeve po rigjenerohet mirë dhe pas kësaj do të punojmë me qytete të caktuara në disa vende të tilla si Koreja e Jugut të cilat kanë demonstruar aftësinë e tyre në mirëkontrollin e virusit. Pastaj mund të diskutojmë me ta për të parë nëse ekziston një mënyrë e mirë për bashkëveprimin mes njerëzve. Por parakushti është kontrolli i duhur i virusit".
Një studim i kohëve të fundit nga Akademia e Shkencave Sociale në Kinë tregoi se turistët kinezë në këto momente preferojnë udhëtimet e brendshme duke pasur parasysh situatën e pandemisë COVID-19 në pjesën tjetër të botës.
Disa analistë u shprehën se tregu i brendshëm i turizmit në Kinë do të bëhet më konkurrues se kurrë pasi kompanitë e udhëtimit që mbështeteshin kryesisht tek udhëtarët ndërkombëtarë janë goditur ashpër nga rënia drastike e kërkesës jashtë shtetit dhe prandaj duhet të përqendrohen tek udhëtimet vendase. (Albana)