2020-05-07 11:52:27 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ditët e fundit, lajmi që në Francë është zbuluar një rast i konfirmuar i pneumonisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në fund të dhjetorit 2019, ka ngjallur vëmendje të madhe në qarqet e ndryshme të vendit.
Më 3 maj, profesor Yves Cohen, shefi i reparteve të terapisë intensive të dy spitaleve në provincën Seine-Saint-Denis afër Parisit, bëri të ditur në një emision të drejtpërdrejtë televiziv se, sipas testimit të përsëritur të mostrave të marra nga pacientët e dikurshëm në këto spitale, u zbulua se një pacient i shtruar në spital më 27 dhjetor 2019 ishte i infektuar atëherë me COVID-19.
"Jam shefi i reparteve të terapisë intensive të spitaleve 'Avicenne' dhe 'Jean-Verdier'. Analizuam përsëri mostrat e pacientëve tanë me pneumoni, që dolën negative në testimin e acidit nukleik gjatë periudhës nga dhjetori deri në janar. Testimet e atëhershme u bënë për gripin stinor dhe koronaviruse të tjera, por jo për COVID-19. Ndër testimet e përsëritura, një rast doli pozitiv. Ai u shtrua në spitalin 'Jean-Verdier' më 27 dhjetor."
Sipas artikullit të profesorit të publikuar në "Revistën ndërkombëtare për agjentët antimikrobialë", i sëmuri, shitës peshku, ka lindur në Algjeri dhe ka banuar në Francë për mbi një vit. Udhëtimi i fundit i tij ishte në Algjeri në gusht të vitit 2019.
Më 5 maj, ky pacient u intervistua nga media franceze dhe tregoi:
"Më 27 dhjetor, në orën 5 të mëngjesit, vendosa të shkoj me makinën time drejtpërdrejt në urgjencën e spitalit 'Jean-Verdier'. Thashë se duhej të takoja menjëherë mjekun, sepse ndihesha shumë keq, më dhimbte gjoksi dhe kisha frymëmarrje të shpejtuar. Më vonë, mjekët më thanë se infektimi ishte shumë i rëndë, por nuk më dhanë asnjë përfundim të përcaktuar. Kur më njoftuan se isha prekur nga COVID-19, u habita shumë."
Konfirmimi i këtij rasti e ndryshoi kohën e shfaqjes së rastit të COVID-19 të njoftuar zyrtarisht, që ishte më 24 janar 2020, rreth një muaj më përpara. Ekipi i profesorit Cohen tha se tani për tani nuk mund të përcaktohet kur dhe ku u prek ky pacient nga COVID-19, prandaj nuk mund të konsiderohet si i prekuri i parë nga COVID-19 në Francë.
Profesori Cohen u bëri thirrje spitaleve të tjera franceze të testojnë përsëri mostrat e pacientëve të pneumonisë së panjohur qysh nga dimri i kaluar. (Wang Lei)