Hong-Kong: Krijohet aleanca e re për të rivendosur rendin ekonomik e shoqëror

2020-05-06 10:23:55 CRI Komenti juaj Printoni

Dy ish-kryeekzekutivë të Hong-Kongut kanë krijuar një aleancë të re, duke synuar të ndihmojnë në kthimin e qytetit në normalitet.

Koalicioni i Hong-Kongut, i krijuar nga Tung Chee-hwa dhe CY Leung, pritet të ndihmojë në trajtimin e problemeve të shkaktuara nga trazirat që po zgjatin prej disa muajsh, si dhe nga pandemia e COVID-19.

Tung Chee-hwa kërkoi të bëhen përpjekje për një Hong-Kong të qëndrueshëm dhe të përparuar:

"Koalicioni i Hong-Kongut u krijua zyrtarisht të martën, duke synuar të sjellë forcën dhe mençurinë e banorëve të Hong-Kongut, të shfrytëzojë epërsitë e parimit 'Një vend, dy sisteme', të përtërijë ekonominë e qytetit e të rivendosë ligjin dhe rendin, për të ndërtuar së bashku një Hong-Kong të qëndrueshëm dhe të përparuar".

Ai shtoi se qyteti po përballet me një situatë të vështirë, që duhet të trajtohet sa më parë.

CY Leung u shpreh në fjalimin e vet se duhet të përdoret epërsia e parimit "Një vend, dy sisteme" për të rimëkëmbur stabilitetin dhe lulëzimin e Hong-Kongut. Ai theksoi se banorët e qarqeve, shtresave e moshave të ndryshme të Hong-Kongut duhet të bashkohen dhe të zhvillohen së bashku:

"Qeveria e Rajonit të Posaçëm kërkon përkrahjen tuaj. Shpresoj se nëpërmjet bashkërendimit të Koalicionit të Hong-Kongut dhe sektorit privat, shqetësimet e banorëve të Hong-Kongut do të ulen. Për të përkrahur rifillimin e arsimit, Koalicioni i Hong-Kongut do të japë 4 milionë maska për fëmijët dhe 6 milionë maska për të rriturit, kundër epidemisë. "

Mësohet se pas krijimit të Koalicionit të Hong-Kongut, veprimtaria e tij e parë është "Miliona maska për të treguar dashurinë". Koalicioni do t'u dhurojë 10 milionë maska banorëve të Hong-Kongut.

Në konferencën e shtypit të organizuar të martën, Koalicioni i Hong-Kongut publikoi "Deklaratën e përbashkët", ku thuhet se Hong-Kongu po përballet me situatën më serioze në dhjetëra vjetët e fundit. Deklarata bën thirrje që qarqet e ndryshme të Hong-Kongut të zbatojnë parimin "Një vend, dy sisteme", të promovojnë rritjen ekonomike, të sigurojnë mirëqenien e banorëve dhe të rikthejnë solidaritetin në qytet. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore