2020-05-06 19:14:38 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Banorët në zona të ndryshme të Kinës kanë përdorur pushimet e 1 Majit (Dita e Punëtorëve), për të vizituar pikat turistike të vendit, të cilat u rihapën pas disa muajsh për shkak të pandemisë. Gjatë pushimeve të kësajhershme, 115 milionë qytetarë kinezë bënë turizëm të brendshëm. Kjo shifër ka konfirmuar parashikimet e ekonomistëve ndërkombëtarë se konsumi i fuqishëm i banorëve kinezë po nxit rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës e të Turizmit të Kinës, gjatë pushimeve, të ardhurat turistike në Kinë arritën në 47 miliardë e 560 milionë juanë. Megjithëse këto të ardhura zënë vetëm 40% të të ardhurave në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duhet të marrim parasysh që tani masat kufizuese nuk janë liruar plotësisht dhe në pikat turistike nuk u lejua tejkalimi i 30% të kapacitetit, prandaj ky rezultat u fitua me vështirësi. Sektori turistik është një nga sektorët që u godit më rëndë nga epidemia, por shifrat e turizmit gjatë pushimeve të "1 Majit" injektuan optimizëm në këtë sektor.
Arritja e fitores së luftës kundër epidemisë në Hubei e Wuhan ishte kushti paraprak i udhëtimit të sigurtë të kinezëve gjatë pushimeve. Gjatë mbi 3 muajve të kaluar, nëpërmjet masave të fuqishme të qeverisë kineze, përpjekjeve maksimale të dhjetëra mijëra mjekëve e infermierëve dhe zbatimit të rreptë të masave nga 1.4 miliardë banorë kinezë, Kina u bë vendi i parë që mposhti epideminë.
Për shumë vjetë, konsumi ka qenë motori i rritjes ekonomike kineze. Konsumi i fuqishëm në pushimet e "1 Majit" shfaqi potencialin e ekonomisë kineze duke pasqyruar rimëkëmbje të shpejtë.
Nën krizën e COVID-19, ekonomia e Kinës ka shfaqur aftësinë e fortë të rimëkëmbjes, gjë që tregon se nuk ka ndryshuar gjendja e përgjithshme e zhvillimit të qendrueshëm afatgjatë të saj. Tani gjendja epidemike globale vijon të mbetet serioze, prandaj duhet të forcohet më tej bashkëpunimi ndërkombëtar. Vetëm në këtë mënyrë, bota mund të dalë nga pandemia dhe të rimëkëmbet ekonomikisht. (Fani)