Kinë: Sektori i transportit gradualisht rimëkëmbet nga pandemia e COVID-19

2020-05-02 14:23:01 CRI Komenti juaj Printoni

Zyrtarët e Ministrisë së Transportit thonë se sektori i transportit në Kinë gradualisht po rimëkëmbet në saje të një sërë politikash dhe masash.

Të dhënat nga kjo ministri tregojnë se pandemia e COVID-19 e ka goditur rëndë sektorin e transportit në Kinë, duke sjellë rënien e ndjeshme të treguesve të ndryshëm.

Sistemi i transportit komercial u shërbeu mbi 1.8 miliardë udhëtarëve në tremujorin e parë, 58 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vëllimi i mallrave gjithashtu ra me 18 për qind në tre muajt e parë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Transporteve Wu Chungeng thotë se kompanitë e transportit përgjithësisht po përballen me humbje:

"Shërbimet e transportit hekurudhor të udhëtarëve janë prekur seriozisht, mbi 90 për qind e ofruesve të shërbimeve rrugore kanë pësuar humbje dhe shumica e operatorëve të transportit ujor kanë pezulluar shërbimet."

Ndërmarrjet e aviacionit civil pësuan në shkurt humbje me vlerë rreth 24 miliardë juanë, ose 3.4 miliardë dollarë amerikanë.

Masat për të parandaluar rastet e COVID-19 nga jashtë, të marra nga shumë vende, gjithashtu kanë ulur kërkesën për shërbime ndërkombëtare të transportit detar dhe transportit ajror të mallrave.

Për të përballuar ndikimet, Wu Chungeng thotë se Ministria e Transportit po shpejton rifillimin e transportit:

"Kemi siguruar autobusë të posaçëm për të transportuar punëtorët nga fshati drejtpërdrejt në vendet e tyre të punës, kemi përmirësuar miratimin e fluturimeve të aeroplanëve të mallrave dhe kemi shtuar më shumë fluturime të posaçme për ta dërguar ngarkesën drejtpërdrejt në destinacion, në mënyrë që të përmirësojmë kapacitetin e fluturimeve ndërkombëtare të transportit të mallrave."

Sistemi i transportit tregtar u shërbeu rreth 390 milionë udhëtarëve, ndërsa shërbimet tregtare të mallrave transportuan 3.2 miliardë tonë ngarkesa në mars.

Ndërkohë, ka rifilluar ndërtimi i 97 për qind të projekteve të mëdha në sektorin e transportit, si edhe zbatimi i 165 projekteve të reja të transportit rrugor e ujor me një vlerë të përgjithshme mbi 260 miliardë juanë. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore