2020-05-02 12:24:06 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Intervistë me kryeredaktorin e revistës "Lancet" Richard Horton
Grupi Mediatik i Kinës (CMG) bëri të premten një intervistë të posaçme me kryeredaktorin e revistës "Lancet", Richard Horton, mbi epideminë e koronavirusit.
Revistës "Lancet" botoi më 20 shkurt një artikull, që kundërshtonte hipotezën se koronavirusi i ri nuk ka burim natyror. Lidhur me këtë, z. Horton tha që Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është shprehur se në muajt e fundit, po përballohemi me dy epidemi: një është nga virusi dhe tjetra nga informacionet e rreme. Ndikimi i lajmeve të rreme ndonjëherë është po aq serioz sa ai i virusit. Duhet ta njohim burimin e virusit dhe ta studiojmë atë në mënyrë shkencore, tha kryeredaktori i "Lancet", duke shtuar më tej se thashethemet do të sjellin shumë ndikime negative dhe do të dëmtojnë njerëzit. Prandaj duhet të parandalojmë dhe të kontrollojmë përhapjen e virusit, e njëkohësisht duhet të shmangim edhe thashethemet, shtoi ai.
Lidhur me akuzat ndaj Kinës që është burimi i përhapjes së koronavirusit, z. Horton mendon se këto akuza janë të padobishme dhe nuk janë të vërteta. Ai theksoi se duhet të ruhet qetësia dhe të zhvillohet bashkëpunim me qeverinë kineze për të kuptuar epideminë dhe për të siguruar që të mos ketë rikthim të saj. Kritikat e një pjese të liderëve të vendeve të ndryshme ndaj Kinës nuk janë të drejta. Faktet tregojnë se këto akuza janë të gabuara.
Më 30 janar, OBSh-ja lëshoi paralajmërimin e nivelit më të lartë. Lidhur me këtë, Richard Horton tha se OBSh-ja është organizata më autoritative në fushën e shëndetësisë në mbarë botën dhe duhet t'u kushtojmë rëndësi paralajmërimeve të saj.
Përveç paralajmërimeve të OBSh-së, edhe revista "Lancet" botoi pesë artikuj në javën e fundit të janarit. Në këta artikuj shpjegohet hollësisht situata e përhapjes së virusit dhe karakteristikat e tij, rëndësia e masave të parandalimit dhe të kontrollit, zhvillimi i testimit për virusin dhe gjurmimi i kontakteve, si edhe izolimi i të infektuarve për të kontrolluar epideminë. Artikujt paralajmëruan edhe lidhur me rrezikun e përhapjes së madhe të koronavirusit të ri. Por pjesa dërrmuese e vendeve të Perëndimit, si ShBA-ja, e çuan dëm kohën nga shkurti deri në fillimin e marsit, gjë që shkaktoi katastrofën e epidemisë së koronavirusit të ri.
Z. Horton shprehu pakënaqësinë e tij për politikanët amerikanë që propagandojnë teori konspirative ose mbështesin disa trajtime pa prova të qarta efektiviteti, dhe kritikojnë vendet e tjera ose organizatat ndërkombëtare, si Kina dhe OBSh-ja. Horton mendon se kritikat janë të kota dhe se duhet të forcohet bashkëpunimi përballë sfidës së epidemisë.
Z. Horton tha se diskutimet mbi epideminë nuk duhet të mendohen si një pjesë e luftës gjeopolitike. Epidemia e koronavirusit të ri është kërcënim ndaj shëndetit të të gjithëve dhe të gjithë duhet të bashkëpunojnë. Po ashtu duhet të falënderojmë stafin mjekësor kinez për kontributin e dhënë, tha Horton.
Ai shprehu shpresën se Kina do të lëshojë një zë të fortë në mbështetje të bashkëpunimit të mbarë botës. (Çang Çuo)