Rifillon mësimi në vitin e tretë të shkollave të mesme në Pekin, Shangai e Guangzhou

2020-04-29 10:29:35 CRI Komenti juaj Printoni

Të hënën në Pekin, Shangai dhe Guangzhou, tre ndër metropolet kryesore kineze, nxënësit e vitit të tretë të ciklit të ulët e të ciklit të lartë të shkollave të mesme rinisën mësimin. Për të pritur kthimin e nxënësve, të gjitha shkollat përkatëse kanë bërë përgatitje intensive.

Të gjitha shkollat e mesme në Pekin kanë bërë dezinfektimin e plotë të objekteve dhe kanë vendosur shenjat e distancimit "një metër". Pekini ka siguruar edhe mbi 2 milionë maska fytyre për kthimin e nxënësve në shkollë.

Zhao Yutao, që punon në shkollën e mesme "Shiyan" në varësi nga Universiteti Pedagogjik i Pekinit, thotë: "Nëse temperatura e ndonjë nxënësi është mbi 37.3 gradë Celsius, mjeku i shkollës sonë lajmëron menjëherë mësuesin kujdestar dhe të gjithë nxënësit e mësuesit në klasën e këtij nxënësi do të izolohen atypëraty. Shkolla do të nisë menjëherë projektin e emergjencës."

Në mëngjesin e së hënës, Dong Yizhen, nxënëse e vitit të tretë të ciklit të ulët të shkollës eksperimentale "Shidong", arriti herët në shkollë. Ajo i tha gazetarit se ka shumë për të folur me shokët e shoqet e veta të klasës, por duke marrë parasysh sigurinë, do të përmbahet brenda mundësive.

"Duhet të ruaj një distancë të sigurt me shokët e shoqet në klasë. Mbeten vetëm dy muaj nga provimi i pranimit në ciklin e lartë të shkollës së mesme. Duhet të përgatitem me të gjitha forcat për këtë provim," tha ajo.

Sipas rregullores së fundit të shkollës ku ndodhet Dong, nxënësit në vitin e tretë të ciklit të ulët dhe ata të ciklit të lartë duhet të hyjnë në shkollë sipas orareve të ndryshme. Nga 7:20 deri në 7:30 hyjnë nxënësit e ciklit të lartë, ndërsa nga 7:30 deri në 7:40, ata të ciklit të ulët. Në portën e shkollës shënohet një pikë për çdo një metër, kështu nxënësit hyjnë dhe u matet temperatura në largësi një metër nga njëri-tjetri.

Sipas rregullave të qytetit të Shangait, në portën e çdo shkolle me mbi 100 nxënës, vendoset matësi i temperaturës me imazh termik, që të sigurohet kalimi i shpejtë i nxënësve.

Bashkia e Shangait ka marrë masa për shmangien e vakteve në mënyrë të përqendruar në shkollë, si çuarja e ushqimeve në klasë, vajtja në mensë në orare të ndryshme, porositja e ushqimeve etj.

Shkolla e mesme "Jindao" e qytetit Guangzhou kishte 8 klasa në vitin e tretë të ciklit të ulët, me gjithsej 400 nxënës. Për të ulur numrin e nxënësve në një klasë, tani çdo klasë ka vetëm 25 nxënës, pra numri i klasave është dyfishuar. Kjo nënkupton se edhe vëllimi i punës së mësuesve është dyfishuar. Por mësuesit e kësaj shkolle nuk ankohen për këtë dhe përpiqen t'i ndihmojnë nxënësit në përgatitjen për provimin. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore