2020-04-27 20:45:00 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Pala kineze kundërshton me vendosmëri që disa individë në ShBA ta përdorin Kinën për të marrë vota si dhe gjendjen e pandemisë për të diskredituar Kinën dhe dëmtuar interesat e saj, tha sot në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Geng Shuang.
Më 24 prill, uebsajti amerikan "Politico" bëri të ditur se Partia Republikane amerikane ka përgatitur një memorandum për kandidatët republikanë në Senat, ku u sugjeron që për çdo pyetje mbi koronavirusin e ri, ata duhet të shfaqin opinione kundër Kinës; kur të pyeten për përgjegjësitë e liderit amerikan në frenimin e përhapjes së COVID-19, duhet të kalojë tema tek Kina.
Në lidhje me këtë, Geng Shuang theksoi në një konferencë të rregullt për shtyp se përgjigjja ndaj disa prej përpjekjeve të forcave politike amerikane për ta përdorur epideminë për të sulmuar Kinën është e qartë. Ai shtoi se ka shumë zëra në Shtetet e Bashkuara që pyesin dhe shqetësohen nëse qeveria e ShBA-së i përgjigjet epidemisë në kohën e duhur dhe në mënyrë efektive. Kina shpreson që ShBA-ja mund t'i përgjigjet shqetësimeve të popullit të vet dhe të komunitetit ndërkombëtar në kohën e duhur.
Kohët e fundit, ka pasur dyshime në rritje për reagimin e qeverisë amerikane ndaj pandemisë COVID-19. Disa medie kryesore në Shtetet e Bashkuara raportuan se masat joefektive të parandalimit të epidemisë së qeverisë amerikane kanë çuar në një shpërthim masiv. Për më tepër, disa burime bëjnë të ditur se në ShBA ka pasur viktima nga koronavirusi shumë më herët se koha e konfirmimit zyrtar.
"Faktikisht, kohët e fundit në ShBA ka pasur shumë zëra që pyesin të shqetësuar se nëse qeveria amerikane iu përgjigj epidemisë në mënyrë të duhur dhe efektive, përfshirë këtu pyetjen se kur u shfaq epidemia për herë të parë në Shtetet e Bashkuara? A ka fshehur ndonjë gjë qeveria amerikane? Për këto çështje, ne shpresojmë që ShBA-ja të mund t'u përgjigjet në kohë shqetësimeve të popullit të saj dhe të bashkësisë ndërkombëtare. A mund t'i kërkojë OBSh-së ta ndihmojë në hetim," shtoi Geng.
Zëdhënësi i qeverisë kineze shtoi se pandemia është armik i njohur i njerëzimit, populli kinez dhe ai amerikan janë viktima të saj, duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare mund ta fitojë këtë sfidë vetëm me solidaritet dhe bashkëpunim. (Vera/Albana)